Serbia e refuzon takimin për të pagjeturit në Bruksel

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit, Andin Hoti ka thënë se takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur që ishte planifikuar të mbahej në Bruksel nuk ishte realizuar pasi që Serbia refuzoi të marrë pjesë në këtë takim.

Hoti tha se prania e kryenegocitatorit te Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel ishte për shkak se ai orkestroi dhe garantoi dështimin e këtij takimi, siç thotë Hoti duke e kthyer në një proces jetik dhe në një mjet të turpshëm.

“Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve. Prania e z. Petkoviç në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka shkruar ai.

Madje, Hoti ka thënë se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrjen në takim përveç që është banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel. Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme”, tha ai.

Ndërkaq, Hoti kërkon zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur.

“Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së. Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, shtoi ai ndër të tjera.