Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Serbia dhe Hungaria nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes

Serbia dhe Hungaria nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se vendi i tij ka nënshkruar marrëveshje strategjike në fushën e mbrojtjes me Hungarinë, raporton Anadolu.

Vuçiq priti sot në takim ministrin hungarez të Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Duke folur në konferencën e përbashkët për media pas bisedimeve ndërmjet delegacioneve, Vuçiq tha se ata kanë bashkëpunime të rëndësishme me Hungarinë dhe se kanë nënshkruar dokumentin që do të konkretizonte marrëveshjen në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023.

Ai theksoi se bashkëpunimi strategjik në fushën e mbrojtjes ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është marrëveshja më gjithëpërfshirëse mes të gjitha vendeve në rajon.

“Në aspektin e numrit dhe rëndësisë së aktiviteteve të përbashkëta, Serbia bashkëpunimin më të zhvilluar dhe më intensiv të mbrojtjes e zhvillon me Hungarinë. Elementet kryesore të këtyre marrëdhënieve janë bashkëpunimi ushtarak, si stërvitjet dypalëshe dhe shumëkombëshe si dhe bashkëpunimi teknik në furnizimin e sistemeve dhe pajisjeve të armëve”, deklaroi Vuçiq duke shtuar:

“Kemi rënë dakord për aktivitetin më të madh për këtë vit. Numri i aktiviteteve, i cili në vitin 2023 ishte 48, këtë vit u rrit në 79. Kjo marrëveshje që arritëm me miqtë tanë hungarezë ka rëndësi të madhe për ne. Besojmë se kjo marrëveshje lidhur me aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë si proces drejt krijimit të një aleance ushtarake apo uniteti ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë”.

– “Hungaria gjithmonë ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Serbisë në BE”

Ministri hungarez i Mbrojtjes, Szalay-Bobrovniczky tha se Serbia dhe Hungaria janë gjithmonë në konsultim.

Ai shtoi se me Serbinë kanë marrëdhënie në nivelin më të lartë, pavarësisht se ajo nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian (BE). “U rishikua plani me 72 nene, përfshirë çështje të tilla si flota detare, arsimi, stërvitjet luftarake dhe trajnimi i snajperëve. Hungaria ka qenë gjithmonë në favor të paqes dhe Serbia është aleatja jonë në këtë çështje. Hungaria gjithmonë ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Serbisë në BE”, deklaroi Szalay-Bobrovniczky.

Szalay-Bobrovniczky potencoi se Serbisë i kanë ofruar mbështetje ushtarake në aspektin e ruajtjes së paqes dhe se kanë diskutuar për planet në vitet në vijim.

Pas deklaratave, Szalay-Bobrovniczky dhe ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq nënshkruan marrëveshjen në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve.

Exit mobile version