Serbia dërgoi ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri

Serbia dërgoi ndihma në Turqi për viktimat e prekura nga tërmeti që ndodhi në Kahramanmaraş më 6 shkurt.

Donacionet e përgatitura nga qeveria serbe u dërguan në Turqi me aeroplan ngarkesash të Turkish Airlines (THY) nga aeroporti Nikola Tesla në kryeqytetin Beograd, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Turqisë në Beograd Hami Aksoy dhe bashkëshortes së tij Canan Fingersizoğlu Aksoy.

Është raportuar se në pakot e ndihmës ka tenda, batanije, ngrohës, gjeneratorë dhe komplete kuzhine dhe se ndihma do të dërgohet në Turqi me avion mallrash THY gjatë gjithë javës.

Ndihma edhe për Sirinë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë Millosh Vuçeviq në fillim të javës mori pjesë në dërgesën e ndihmave humanitare nga Serbia për qytetarët e Sirisë nga aeroporti Nikola Tesla.

Ai raportoi se ka marrë informacion nga ambasadori i Sirisë se deri më tani janë grumbulluar mbi 100 tonë ushqime për Sirinë dhe shprehu besimin se së bashku me “Air Serbia” dhe transportuesit e tjerë do të organizojnë transportin e asaj në ditët dhe javët në vijim e që janë shumë të nevojshme për popullin sirian.

Sipas tij, ndihma do të dërgohet pastaj nga Damasku në pjesën veriperëndimore të Sirisë dhe ku qeveria e atij vendi mendon se ndihma është e nevojshme.

Ambasadori sirian shprehu mirënjohjen e tij për Serbinë dhe zyrtarët e saj për ndihmën e mbledhur, e cila do të ndihmojë popullin e Sirisë, si dhe për qytetarët e Serbisë për solidaritetin dhe dhembshurinë e tyre në këto kohë të vështira. /mesazhi