Serbi, Vuçiq paralajmëroi riformatim të Qeverisë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar një riorganizim të qeverisë në të cilin më shumë se gjysma e ministrave do të zëvendësohen për shkak të protestave që po vazhdojnë në vend prej më shumë se dy muajsh.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, vendi duhet të funksionojë, prandaj kërkesa ime është për rikonstruim më urgjent dhe masiv të qeverisë serbe”, tha Vuçiq në Beograd.

Ai premtoi se ai dhe qeveria do t’i plotësojnë kërkesat e studentëve që kanë protestuar që nga tragjedia e nëntorit në Novi Sad, kur shembja e tendës së stacionit hekurudhor vrau 15 persona dhe shfaqi shpresën se kjo do të inicojë dialogun social.

“Ne jetojmë në këtë vend, krijojmë këtë atmosferë dhe të gjithë marrim pjesë në të. Kur flas për këtë, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet fakti se kjo gjendje në shoqëri nuk i përshtatet askujt, askujt nuk i sjell asgjë në Serbi”, ka theksuar Vuçiq.

Ai shtoi se thirrja për dialog nuk është rezultat i dobësisë, por se është i rëndësishëm për shkak të gjendjes së shoqërisë dhe për Serbinë.

Pas vdekjes së 15 personave në shembjen e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, protesta studentore nisën në Serbi duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari. Ata kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit për rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor, hedhjen poshtë e akuzave ndaj studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave, si dhe ngritjen e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të demonstruesve.