Serbi i akuzuar për sulmet ndaj KFOR-it sillet në gjykatë

Marko Dantiq, i akuzuari për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë të shtunën.

Dantiq ishte arrestuar një ditë më parë për sulmet e majit të vitit 2023.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhej se ai dyshohet për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Dhuna në Zveçan kishte shpërthyer pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si pasojë e dhunës kishin mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

KFOR-i ka thënë më herët se sulmi ndaj ushtarëve të tij ishte kryer “pa asnjë provokim” dhe se ishte “plotësisht i papranueshëm”.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.