Senatorja aborigjene në Australi i drejtohet Mbretit Charles: “Kjo nuk është toka jote, t’i nuk je mbreti im”

Senatorja e Australisë me origjinë aborigjene, Lidia Thorpe, iu përgjigj fjalimit të Mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III në Parlament, i cili vizitoi Australinë, duke thënë: “Kjo nuk është toka jote. Ti nuk je mbreti ynë”, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit në mediat kombëtare, Mbreti Charles u prit në kryeqytetin Canberra nga kryeministri australian, Anthony Albanese dhe lideri i Partisë Liberale të opozitës, Peter Dutton, në ditën e dytë të takimeve të tij në vend.

Kryeministri Albanese, në fjalën e tij në parlament tha: “Ne jemi të gëzuar t’ju mirëpresim si monark për herë të parë, këtu në zemër të demokracisë sonë” dhe falënderoi mbretin Charles për vizitën e tij.

Mbreti Charles iu drejtua edhe Parlamentit Australian ku foli për vitet e tij studentore në Australi, cenueshmërinë e vendit ndaj ndryshimeve klimatike dhe banorët indigjenë të Popullit të Parë (First Nation).

Pasi mbaroi fjalimin e tij, Mbreti Charles po largohej nga podiumi kur senatorja aborigjine, Lidia Thorpe iu afrua platformës dhe tha: “Kjo nuk është toka jote. Ti nuk je mbreti im. Nuk je mbreti ynë”.

“Ju keni kryer gjenocid kundër popullit tonë. Na ktheni tokat tona. Na ktheni atë që na vodhët. I shkatërruat tokat tona. Ne duam një traktat në këtë vend. Ju jeni një gjenocid”, u shpreh Thorpe.

Duke thënë se kurora britanike pushtoi këtë vend, Thorpe tha: “Mbreti Charles nuk është sundimtari legjitim i këtyre tokave”. Më vonë, senatorja Thorpe u nxor nga Parlamenti nga rojet e sigurisë.

Në “Deklaratën Uluru” të përgatitur me propozimin e “Komisionit Kombëtar të Kushtetutës së Uluru”, të formuar nga liderë indigjenë nga i gjithë vendi, të cilët u mblodhën në Australi në vitin 2017, kërkohej “e drejta e fjalës, traktati dhe deklarimi i së vërtetës”.

Megjithatë, në referendumin “Zëri Indigjen në Parlament” i mbajtur si vazhdimësi e këtij procesi, shumica dërmuese në të gjitha shtetet australiane kundërshtoi krijimin e delegacionit të “Zërit Indigjen në Parlament” të përbërë nga banorët e ishujve të ngushticës Torres dhe aborigjenët me 60.5 për qind vota kundër.