Senatori amerikan, Bernie Sanders, i bën thirrje administratës së Washingtonit të ndalojë shitjen e armëve dhe municioneve ndaj Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga platforma e medias sociale X, Sanders u shpreh se “SHBA-ja nuk duhet t’i dërgojë më shumë bomba qeverisë ekstremiste të (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu, i cili tashmë ka vrarë 45.000 njerëz, ka shkatërruar banesat, sistemet shëndetësore dhe arsimore të Gazës dhe ka bllokuar ndihmën humanitare, duke shkaktuar urinë”.
Duke i bërë thirrje qeverisë amerikane të ndalojë shitjet e armëve për Izraelin, Sanders theksoi se do të bënte gjithçka që është në fuqinë e tij për parandalimin e këtyre shitjeve.
Zyrtarët amerikanë i njoftuan “jozyrtarisht” Kongresit më 4 janar propozimin e marrëveshjes së armëve prej 8 miliardë dollarësh me Izraelin, e cila përfshin edhe avionët luftarakë dhe municionet e predhave të artilerisë.
Shitja e armëve e cila duhet të marrë miratimin e Kongresit, përfshin mjete ajrore pa pilot, predha artilerie 155 mm, bomba të kalibrit të vogël, koka luftarake 500 kilogramësh, detonatorë bombash dhe pajisje të tjera përkatëse, si municione dhe pajisje të rëndësishme të mbrojtjes si AIM-120C-8 AMRAAM me qëllim për mbrojtje kundër kërcënimeve ajrore.