Senati amerikan votoi kundër projektligjit të prezantuar nga republikanët, për shfuqizimin e pjesës më të madhe të reformës shëndetësore, e cila njihet gjerësisht si “Obamacare”, pa garantuar zëvendësimin e saj me një tjetër.
Në votim, 45 senatorë ishin pro dhe 55 kundër propozimit, mes të cilëve edhe 7 republikanë.
Gjithnjë e më shumë republikanët janë të shqetësuar se shfuqizimi i ligjit të deritanishëm, pa e zëvendësuar atë, do të bënte që shumë amerikanë të humbnin sigurimet shëndetësore, prandaj kjo qasje duket se nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Senat.
Të martën, ligjvënësit hodhën poshtë një variant të hartuar nga udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell.
Varianti në fjalë parashikonte që t’u jepte fund të masave për zgjerimin e programit “Medicaid”, i cili garanton sigurimin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.