Sëmundja e përgojimit

Dr. Sulejman Osmani 

Ashari Ebu Berzete El Eslemij thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë:” O ju që keni besuar me gjuhë, e imani nuk ka hyrë në zemrën e tij, mos i përgojoni myslimanët, dhe mos hulumtoni të zbuloni avretin (fshehtësitë-intimitetet) e tyre, ngase, ai që hulumton avretin e tyre, Allahu zbulon avretin e tij, e kujt ia zbulon Allahu avretin e tij, e korit (Ditën e Gjykimit), qoftë edhe në shtëpi të tij (edhe nëse e ka bërë fshehtazi nga njerëzit).”(1)

Në hadithin që trajtuam në numrat e kaluar, kemi shkruar mbi pasojat dhe dënimin në varr si rezultat i rënies në dy mëkate, që sipas hadithit janë cilësuar si të mëdha. Në trajtimin islam të kategorive të mëkatit, është e njohur se mëkati mund të jetë dy llojesh. Mëkate të rangut më të ulët a të vogla, dhe ato të rangut më të lartë a të mëdha, dhe secili prej tyre ka definicionin e vet dhe trajtohet në bazë të argumenteve, duke dhënë shpjegimin e merituar dhe vlerësimin e duhur për secilin prej tyre.
Në literaturën islame, gjejmë kapituj të ndryshëm për gjithë këtë problematikë, duke u zgjeruar në studimin e tyre, e tëra me qëllim që besimtarëve t’u bëhet e qartë pesha e mëkatit që bart veprimi i cilësuar si i vogël apo i madh. Islami ka ardhur që t’i shërbejë njeriut dhe t’i japë udhëzimin e jetës, ai ia do të mirën, prandaj i sqaron çështjet, në mënyrë që njeriu të mos ballafaqohet me të keqen e punës së tij, e të dënohet. Këtu qëndron arsyeja pse gjejmë tematika të imta, sipas vlerësimit tonë, e në anën tjetër janë shtjelluar me argumente shumë të fuqishme. i këtij rangu është edhe hadithi, tematikën e të cilit patëm trajtuar.

Mos përgojoni

Kësaj here do të ndalemi në temën e dytë të hadithit, që ka të bëjë me arsyen tjetër që kishte bërë që të vdekurit të ndëshkoheshin në varre, e Pejgamberi a.s. kishte intervenuar për t’u dalë në ndihmë edhe me diçka që është minimale, që në një situatë të tillë do t’u ndihmonte atyre. Kjo ndihmë konfirmon lehtësimin e ndëshkimit në varr, dhe në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me faljen e mëkatit. E themi këtë që të mos mendojë dikush se, me gjithë veprimet e trajtuara si mëkate të mëdha, që ata kishin bërë, kaluan lehtë, duke vënë një degë të njomë mbi varr, dhe se i shpëtoi kërkimfalja në prani të varreve të tyre.Njëri prej tyre kishte bartur fjalë në mes njerëzve, prandaj kjo punë e ligë ishte bërë shkak për ndëshkimin që Pejgamberi a.s. e kuptoi me të kaluar pranë varrit. Një pësim shumë i rëndë për një veprim që nuk na bën përshtypje. Gjuha e komunikimit sikur na thërret dhe na tërheq vëmendjen duke na thënë: O ti që bart fjalë, kujtohu për pasojat dhe barrën e rëndë të mëkatit, që do të të presë që në varr, prandaj ki kujdes. E tëra ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes për trajtimin e duhur të së keqes.

El gijBetu dhe en nemijmetu

Këtë të keqe në gjuhën e Sheriatit e gjejmë me dy terma, të njohur si: (El Gijbetu) dhe (En Nemijmetu) dhe që, me gjithë të përbashkëtat që kanë, mund t’i ndajmë në dy dukuri të ndryshme, ngase në hadithe dhe ajete i gjejmë si të tilla. Me termin (El Gijbetu) kuptohet “Të thuash për tjetrin atë që nuk i pëlqen, derisa ai nuk është i pranishëm”, kurse me (En Nemijmetu) kuptohet “Bartja e fjalëve me qëllim keqbërjeje”. Besoj se në këtë paraqitje është e qartë ndarja e dy termave dhe domethënia e ndryshme, sepse që të dyja paraqesin veprime të tjera, jo të njëjta në mes tyre. Megjithatë, ato kanë disa elemente veprimi të përbashkëta dhe në situata të caktuara mund të shprehin një funksion.
Transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. ka thënë:” A e dini çështë përgojimi (el gijbetu)? Ata i thanë: ‘Këtë Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri”. Ai u tha:” Të thuash për vëllain tënd atë që nuk i pëlqen”. (Nga të pranishmit) iu tha: “Ç’mendon nëse e ka atë që e them (në lidhje me) vëllain tim”? (Pejgamberi a.s.) tha:” Nëse e ka, ti e ke përgojuar, e nëse nuk e ka, i ke shpifur.”(2)

Thuaja në Praninë e tij

Me termin e parë (El Gijbetu) kuptojmë situatën kur dikush, në praninë e tjetrit a të të tjerëve, flet për dikë, duke e përgojuar me qëllim nënçmimi, qoftë të atij personalisht, si në rastet kur merr në gojë karakterin, edukatën, moralin, pamjen e tij ose çka do qoftë e që ka të bëjë me të. Në këtë rang gjithsesi mund të hyjnë edhe përqeshja e familjes, pronës, cilësimi me shprehje të dyshimta, që kanë për qëllim mbjelljen e urrejtjes e të tjera ngjashme. E tërë çështja ka të bëjë me transparencën e nevojshme, e cila ka për bazë këshillën me qëllimin më të mirë, atij që ka të meta dhe vërejtje evidente, duhet të jemi të sinqertë e t’ia themi atij personalisht, në praninë e tij dhe jo fshehurazi, ngase në situatë të tillë ai është i paaftë të mbrojë veten e tij. Kur duhet dhe duam t’ia themi dikujt atë që mendojmë se është e keqe, në plan të parë dëshirojmë të mirën e tij dhe synojmë që ai të përmirësojë veten, e kjo absolutisht është e padobishme në raste kur ai nuk është i pranishëm.
Në raste të tilla kemi të bëjmë me marrjen në gojë me qëllim nënçmimi dhe shkeljeje të dinjitetit të tij. Në këso rastesh, i dëmtuari është privuar nga e drejta e tij për t’u mbrojtur dhe për të shfaqur qëndrimin e tij. Shumë herë ai mund të ketë të drejtë, dhe për çështjet që ne e gjykojmë, do të ketë argumentin e vet, por ne duam që këtë punë të keqe ta bëjmë ashtu si duam vetë, duke shkelur dinjitetin, dhe përdhosim karakterin e tij. Sa herë janë zhveshur njerëzit nga çdo vlerë, si rezultat i përgojimit nga të tjerët, ndërsa ne, kemi ndërtuar imazhin e tij nga bisedat pas kurrizi dhe duke pëshpëritur për të. ai, në realitet mund të jetë krejt tjetër, por neve në përfolje, na është paraqitur krejt tjetërfare. Besoj se shpesh na bie të dëgjojmë dikë kur, duke vlerësuar një person të caktuar, thotë: “Ndryshe kam dëgjuar e ndryshe më ka dalë”. Natyrisht, nga përgojimet e mundshme, e ka menduar si negativ, kurse, kur është takuar vetë me të dhe e ka njohur nga afër, gjërat kanë ndryshuar për së miri. Ky është një realitet me të cilin ballafaqohemi shpesh. Nuk ka dyshim se përgojimi paraqet një sëmundje kronike nga e cila është goditur shoqëria dhe është bërë shumë e pavëmendshme ndaj saj. Po të ishte për të mirë, sigurisht do të meritonim të merrnim epitetin si shoqëri e gibetit, por, ç’t’i bësh kur edhe e keqja duhet të na bjerë hise!.

Pasoja të dhimbshme

Një dukuri e tillë, edhe po të ishte e lejuar, sigurisht do të mjaftoheshim me një masë të caktuar dhe do të thoshim se me kaq u bë boll, por, në të kundërtën, gjërat qëndrojnë krejt ndryshe, gibeti është haram e ne kurrsesi nuk mund të bindemi të ndalemi prej tij.E keqja e përgojimit ka prodhuar shumë pasoja të dhimbshme, shkëputje lidhjesh në rrethe shumë të ngushta familjare, urrejtje dhe armiqësi që përfundojnë me më të keqen, shpirtra të thyer moralisht, që vështirë mund të ngjallen, sepse kanë rënë në humnerën e thashethemeve si rezultat i shkeljes në autoritetin dhe dinjitetin e të tjerëve. Në një rast Pejgamberi a.s. u kishte folur shokëve të tij për çështjen se kush është mysliman i vërtetë. Sigurisht që kërshëria ishte shumë e madhe; edhe ne sot, në një përgjigje të tillë, do të kërkonim diçka nga veprimet që kanë të bëjnë me shtyllat e Islamit. Do të na shkonte mendja të themi se mysliman i vërtetë është ai që, përveç namazeve të detyrueshme, falet edhe natën, agjëron nafile e të tjera të ngjashme, por Pejgamberi a.s. kishte dhënë një përgjigje krejt tjetërfare, duke u thënë: ”Mysliman është ai që nga gjuha dhe dora e tij janë të shpëtuar myslimanët, e muhaxhir (i larguar) është ai që largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu.”(3)
Asnjëri nuk mund të jetë mysliman i mirë, e imani i tij të plotësohet, derisa të tjerët të pësojnë nga të këqijat e gjuhës dhe dorës së tij. Si rezultat i shkeljeve të tilla, shumëkush ka arritur në shkallën e vesveseve që kurrsesi dhe asgjë nuk e lë të qetë dhe, me të parë dikë se po bisedon, menjëherë i shkon mendja se ata po flasin rreth tij dhe ai do të jetë viktima e radhës. Dukuritë e tilla avullojnë besimin në mes nesh, fshijnë dashurinë dhe respektin, krijojnë plagë që vështirë shërohen.

Karakteri i dyfytyrësisë

Një karakter i tillë, në vepër paraqet anën e dyfytyrësisë (munafikllëkut), që është shumë e dënueshme me argumente nga Kur’ani dhe Syneti. Te disa paraqitet me një fytyrë, e para të tjerëve me fytyrë tjetër. Në këtë vlerësim Muhamedi a.s. thotë se më i keqi nga njerëzit është ai që tek disa paraqitet me një fytyrë, e tek të tjerë me tjetrën. Është e ndaluar të flasësh keq për tjetrin, kur ai nuk është i pranishëm. Mëkati i tillë thyen parimet bazë, të cilat e kemi detyrim t’i respektojmë në raport me çdonjërin. Muhamedi a.s thotë:”Myslimani (si tërësi) për myslimanin është i ndaluar; gjaku (jeta) e tij, pasuria dhe nderi.”(4)
Nuk ka dyshim se këto tria përbëjnë shtyllat kryesore në jetën e njeriut, dhe paraqesin të drejtat elementare, që, nëse shkelen, atëherë është prekur në themel, dhe kurrsesi nuk mund të ketë stabilitet dhe mirëqenie të qëndrueshme. Për shkak të rëndësisë së veçantë, Allahu ka sanksionuar shkeljen e të drejtave të tilla, prandaj janë ranguar në kategorinë e harameve, kush shkel në to, ka thyer besën e imani të sinqertë që ka lidhur me allahun xh.sh..

Devotshmëri pa gibet

Të ndershmit kujdesen të mos bien në gibet dhe këtë e shohin nga mëkatet më të mëdha. Devotshmëria kërkon distancim nga gjithë ajo që bie në kundërshtim imanin e sinqertë. Tregohet se imam Ahmedi kishte shkuar për të vizituar shokun e tij të sëmurë dhe, ndër të tjera, e kishte pyetur a ke bërë ndonjë vizitë te mjeku. Ai ishte përgjigjur se kishte qenë te filan mjeku. Ahmedi, në formë këshille, i kishte thënë: Shko te filani, duke përmendur një mjek tjetër, sepse ai është më i fortë (si mjek). Me të përfunduar fjalën e tij, imam Ahmedi kishte vendosur dorën në gojë dhe në shenjë pakënaqësie për atë që tha, ishte penduar ngase kishte vlerësuar se ky mjeku ishte më i fortë se ai. Një ditë, gjatë një bisede me Pejgamberin a.s. dhe gjersa Aisheja po fliste për Safijen, atë e cilësoi si trupshkurtër. Pejgamberi a.s ndërhyri duke i thënë:” E ke thënë një fjalë që, po të përzihej me ujin e detit, do ta ndryshonte atë:”(5)
Ai vlerësoi se Ajsheja e kishte përgojuar Safijen, sepse kishte thënë që ajo ishte e imët nga trupi. Në syrin tonë kjo është e lehtë, por në vlerësimin e të përkushtuarve, mëkati i vogël është shumë i madh. Nuk ka dyshim që përgojimi është nga mëkatet më të mëdha me shtrirje masive, pasojat e të cilit po i ndiejmë çdo ditë.

_____________________
1). Transmeon Ebu Davudi nr. 4880, Ahmedi nr. 19288 Hadithi është i kategorisë Hasen, ndersa sipas vlerësimit të Albanit është i kategorisë Hasenun Sahijh.
2). Transmeton Muslimi nr. 2589 dhe Tirmidhiu nr. 1934.
3). Buhariu nr. 10.
4). Muslimi nr. 2564 (5) Ebu Davudi, Bejhekiu dhe Tirmidhiu (Albani “Sahijh et tergijb” nr 2836)

Dituria Islame 237

Dr. Sulejman Osmani