Ballina Artikuj Sëmundja dhe Pleqëria Reflektim i Thellë Shpirtëror dhe Shoqëror

Sëmundja dhe Pleqëria Reflektim i Thellë Shpirtëror dhe Shoqëror

Vehbi Zeqiri

Sëmundja dhe pleqëria shpesh perceptohen si sfida të rënda, që rëndojnë individin dhe ata përreth tij. Megjithatë, përtej vështirësive, ato sjellin përfitime të thella për individin, familjen dhe shoqërinë.

Para disa muajsh dëgjova këtë histori të vërtetë:

Dy miq po bisedonin. Njëri prej tyre tregoi se nëna i kishte ndërruar jetë, pas tri vitesh të vuajtura nga një sëmundje e rëndë.

Miku i tij i thotë: ‘Familja juaj paska përjetuar tri vite të rënda.’

‘Jo aspak…, në të vërtetë, këto tri vite kanë qenë vitet më të lumturat për familjen tonë,’ iu përgjigj ai.

‘Si është e mundur kjo?’ pyeti miku.

‘Gjatë atyre tri viteve, e gjithë familja qëndruam së bashku, pranë nënës. Kjo e ndihmoi atë shumë, por edhe ne ndjemë lumturinë e bashkimit tonë, që në asnjë rrethanë tjetër nuk do të kishim qenë kaq të afërt.’ iu përgjigj ai!?

Kjo qasje ndaj jetës është vërtetë mahnitëse! Kjo familje e ka kuptuar se çfarë është jeta dhe cilat janë prioritetet e saj, pa mohuar sëmundjen, pleqërinë dhe vdekjen si pjesë të saj.

Nëse sëmundjen dhe pleqërinë i shohim përmes syve të mendjes dhe shpirtit, ato mund të jenë burim urtësie, bashkimi, dhe ngritjeje shpirtërore. Edhe pse në nivelin individual mund të jenë të rënda, ato ofrojnë mundësi për rritje dhe përforcim të vlerave të përbashkëta.

Urtësia dhe Përulësia

Përulësia, dashuria, dhe dhembshuria që lindin gjatë sëmundjes dhe pleqërisë na kujtojnë se ajo çka na bën të fortë është aftësia për t’u kujdesur për njëri-tjetrin dhe për të ndarë përjetime shpirtërore. Sëmundja na kujton brishtësinë e jetës dhe nevojën për mbështetje reciproke.

Bota shpesh e konsideron kohën si pasuri të çmuar, ndërsa sëmundja dhe pleqëria na mësojnë pranimin dhe durimin, dy mësime që na lejojnë të kontrollojmë gjërat që vërtetë kanë rëndësi në jetën tonë.

Kur të gjithë bashkohen për të ndihmuar të sëmurët apo të moshuarit, krijohet një ndjesi e thellë e përkatësisë dhe solidaritetit, duke ndërtuar një shoqëri më humane dhe më të dashur.

 Reflektim mbi Vdekjen

Kur dikë e kaplon sëmundja apo pleqëria, është një sinjal për familjarët dhe shoqërinë që të kalojnë kohë kualitative me ta, sepse këto mund të jenë momente të fundit dhe të çmuara. Shpesh, kur ndërron jetë dikush ‘papritur’, familjarët dhe miqtë pendohen që nuk kanë shfrytëzuar më shumë kohë që të qëndrojnë me ta.

Përfitimet e Sëmundjes dhe Pleqërisë?

Për të kuptuar thellësisht përfitimet e sëmundjes dhe pleqërisë, njeriu duhet të bëjë një ndryshim esencial në perspektivën e tij ndaj jetës dhe ta shohë atë përtej anës fizike e materiale. Pranimi i ciklit të jetës (lindja, rritja, pleqëria dhe vdekja) na lejon të pranojmë sëmundjen dhe pleqërinë si pjesë të natyrshme dhe jo si diçka për t’u frikësuar.

Në jetën e përditshme shpesh anashkalojmë këto momente, duke u përqendruar tek karriera, suksesi dhe aktivitetet e tjera. Sëmundja dhe pleqëria na detyrojnë të ndalemi dhe të rivlerësojmë prioritetet tona, marrëdhëniet personale dhe shpirtërore, që janë vërtetë të rëndësishme.

Trashëgimia Shpirtërore

Jeta nuk është vetëm arritja e rezultateve dhe sukseseve, por ndikimi që kemi mbi të tjerët, dashuria që ndajmë, dhe trashëgimia shpirtërore që lëmë pas. Sëmundja dhe pleqëria nuk janë barrë, por një mundësi e artë për rritje në aspektin shpirtëror dhe social, si dhe për thellimin e lidhjeve me të tjerët dhe me veten.

Vehbi Zeqiri

 

Exit mobile version