Kanga e fyellit
Dëgjoje këtë fyell teksa rënkon,
historinë e ndarjes po shpjegon.
Qysh kur prej kallamishtes jam nda,
me zanin tim t’përmallshëm kjajnë burra e gra.
3. Nji kraharor të çarë si timin dua,
me dhimbjet e ndarjes plot ligështim,
vetëm njatij kraharori mundem me ia tregue ngjarjen e vajit tim.
4. E nëse dikush prej të tijit konak largohet,
ai sërish e kërkon derisa prapë me të t’bashkohet.
5. Në çdo ndejë kjaj e lëshohem në rënkim,
gazplotët dhe të dëshpëruarit krejt preken nga i imi kumbim.
(Rumi, përkth.: E.Ç)
Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë
1.
Dy prej kuptimeve të fjalës “sëmbim” në shqipe janë:
– dhembje shpirtërore e mprehtë. Ndien një sëmbim në zemër (në shpirt);
– diçka që mbetet e paplotësuar, peng. Mbeti (e ka) sëmbim…
Metafora që end Rumi në këto vargje është nji brerore drite mbi “dëbimin” nga parajsa, për (sh)këptujen e njeriut prej konakut ku ishte vendosë në kryeherë, për pendimin nga gabimi, për mallin e pakurueshëm që e mbërtheu kur zbriti në Tokë.
Pra, kallami i shkulur prej kallamishtes, prej shtëpisë së vet, bahet fyell dhe nxjerr tingujt e mallit! Njashtu edhe njeriu përjeton sëmbim për “shkuljen” nga parajsa, ja pse prek thellë ajo melodi, ja pse na kujton diçka të largët dhe kaq të afërt njiherësh; ja pse na thotë diçka; ja pse ka diçka të njohur për ne; ja pse i heq ankthin natyrës dhe e vesh me poezi dhe, mbi të gjitha, diçka që i jep kuptim çdo gjaje.
Po ashtu, metafora na kujton se fyelli (neji në persisht), që të çlirojë melodi, duhet të jetë bosh! I tillë duhet të jetë edhe njeriu që të çlirojë kangën e lashtë brenda vetes, që të ndiejë aromën e rranjëve të krijimit, sepse “zbrazëtia në shpirt dhe mbushja e stomakut është kombinimi ma i keq”. (Izetbegoviq)
Ata që agjërojnë e kanë dëgju fort mirë këtë kangë dhe e kanë përjetu asisoj sa nuk shprehet dot.
2.
Në nji thanie të Profetit Muhamed lexojmë: “Nga parajsa ju nxori vetëm gabimi i babait tuaj.”
Në fakt, Profeti lajmëron se pikërisht këtë do të thotë Ademi në atë jetë, kur parajsa t’u jetë afruar besimtarëve, sepse këta të fundit do t’i drejtohen Ademit duke i thanë: “O babai ynë, na e çil parajsën!”
Mes të tjerash, kjo na kujton se çdo baba e ban nji gabim të pashmangshëm, të veçantë, me fat e fatalitet njiherësh, me nji rrjedhojë sa problematike aq edhe të urtë, ashtu si babai i njerëzimit, Ademi.
Kjo sepse, mbi të gjitha, ky është vullnetit i të Urtit, Zotit, sekretin dhe urtësinë e të cilit nuk mund ta dimë.
Me gabu është pjesë e natyrës sonë, nuk i ikim dot, sado të kujdesshëm të jemi.
Duhet me ndodhë diçka, për me i hapë rrugë shumëçkaje tjetër.
Pika arkimediane në këtë rast nuk është gabimi si i tillë, por qëndrimi që zgjedhim mbas tij.
Çdo njeri do të rrëzohet nji herë, disa herë apo shumë herë, se të tillë jemi gatu, nuk i shmangemi dot, dhe për rrjedhojë nuk kemi pse – puna është me u ngritë mbas rrëzimit. Çdonjëri e ka të mundur me u ngritë, sado i fortë qoftë rrëzimi, por duhet me ia kujtu vetes dhe të tjerëve këtë, shpesh madje.
Asnji nuk rrëzohet kot, asnji nuk ngrihet plot. Asnji nuk ringrihet po i njajti.
Çdo ringritje është nji shkallë ma afër Dritës. Mbas çdo ringritjeje jemi ma të pjekur, por edhe me ma shumë dhimbje. E si mund të piqet apo të bahet e plotë diçka pa dhimbje?!
Dhimbja është zgjim. Dhimbja është dashuri, se edhe dashuria është dhimbje. Thelbi i dhimbjes është malli për rikthim në konak, prej nga na nxori gabimi i babait tonë. Jo thjesht malli për atë konak, mrekullitë e të cilit nuk mund të përfytyrohen, ku ma e madhja syresh është përjetësia, por malli për të qenë sërish buzë Zotit, me Zotin.
Kush nuk kupton dhe mbi të gjitha nuk ndien, se kjo jetë është përpjekje e vazhdueshme, mungesë e dhimbje, nuk ka kuptu asgja.
Natyrisht që ka çaste prehjeje, qetësie e gëzimi, që duhen mirëpritë e shiju, hareshëm madje, por këto çaste janë vetëm ishuj, stacione, jo destini, jo qëllimi. Nuk duhet me ra pre e magjepsjes që pëshpërisin këta ishuj e me harru faktin se jemi në udhëtim, se kemi ende udhë me ba.
Mund të thuhet se kjo udhë është mrekullia e dhimbjes, fundi i së cilës është mrekulli pa dhimbje; çlirim i përjetshëm nga e përkohshmja, bashkim dhe nji buzëqeshje të cilën e ka zili edhe vetë dielli. /revistashenja