Selimi për “shmangien” e Hotit në Bruksel: Ndihem i pasigurt

Javë më parë në kuadër të dialogut me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti, bashkë me delegacionin e Kosovës kanë rifilluar dialogun në Bruksel. Pjesë e këtij ekipi, ishte edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si përfaqësues i AAK-së. Ky i fundit po kritikon “shmangien” që Hoti i kishte bërë atij në takimin e Brukselit me Vuçiqin.

Selim Selimi thotë se në këto takime ka bartur dy poste, atë të ministrit dhe shefit të stafit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në procesin e dialogut. E meqë nuk ishte lejuar të marrë pjesë në të gjitha takimet, ai shprehet se duhet të ketë qasje direkte dhe informacione në këto takime.

“Fatkeqësisht pjesën në të cilën jam i dizegnuar nuk mundem ta kryejë me saktësi dhe ta informojë liderin tim, i cili më ka dizegnuar, më ka emëruar që ta barti këtë pozicion në qoftë se unë nuk kam qasje direkte të informatave. Unë i besoj skriptes edhe pozicionit të delegacionit atje, por mua më pamundësohet informimi i saktë në qoftë se unë nuk jam pjesë përbërëse e atij ekipi, pasi që përtej atij skripti ka çështje të tjera të cilat po ashtu janë shumë të rëndësishme. Çështje të tjera të cilat mund të konsiderohen finesa, por janë të rëndësishme për pozicionimin e secilit delegacion”.

Selimi tregon se përjashtimi i tij nga këto takime, e bën të të pasigurt se janë duke realizuar qëllimin e 17 shkurtit 2008.

“Fatkeqësisht nuk kam marrë pjesë në disa takime, në disa kam marrë pjesë, në disa jo. Dhe mendoj që kjo diskrepancë në mes takimeve, mua nuk më jep siguri të mjaftueshme për me i përmbush tërë ato pjesë të ‘puzzles’ të mozaikut që të kem konform që ne jemi pjesë përbërëse dhe që ne jemi duke e realizuar qëllimin tonë, e që është 17 shkurti 2008. Për këtë çështje edhe kryetari im, Ramush Haradinaj, e ka shprehur zëshëm se në momentin që ai e ka caktuar një person ka mundur të jetë një person tjetër, kam qëlluar unë me qenë aty, kur e ka shprehur atë pozicion të tij, ka qenë një pozicion i shqetësimit të një humbjes së kohezionit dhe humbjes së bashkëpunimit dhe kjo ka ardhur si rezultat i të qenurit selektiv në pjesëmarrjen e takimeve. Të qenurit selektiv në takime nuk të jep brum të mjaftueshëm për me marrë një qëndrim mirë të informuar”.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, shton se gjitha partitë që po bashkëqeverisin aktualisht, kanë hise të barabartë në dialog dhe se termet në këto takime do të duhej të caktoheshin nga ta. Ai thotë se caktimi i koordinatorit shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe takimet e tij në Uashington e Bruksel, janë rrëshqitje për dialog teknik. Ai deklaron se është koha të mbyllet kontrata për dialog mes Kosovës e Serbisë.