Komisioni Shtetëror dje doli me një komunikatë për media ku tha se kanë fakte të pakundërshtueshme që Kosova nuk humb territor me demarkacion. Sipas tyre, procesi i shënjimit të vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi është në përputhje me të gjitha standardet e dokumentet.
I mendimit me këtë gjë nuk është deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Ai në një prononcim për “Indeksonline”, i ka quajtur anëtarët e Komisionit Shtetëror armiq të Kosovës.
“Nuk ka fakt as argument më të madh se sa toka dhe territori i Kosovës që ka qenë gjithmonë i Kosovës. Ata tashmë me agresivitetin e tyre kundër territorit të Kosovës, me agresivitetin e tyre kundër tokës së Kosovës ata thjeshtë janë armiqtë e Kosovës”, është shprehur Selimi.
Sipas tij, anëtarët e Komisionit janë ata që edhe kur flasin mirë, flasin kundër Kosovës.
“Prandaj nuk mund t`i marrim parasysh as kur na flasin mirë sepse ata flasin kundër Kosovës”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë se Komisioni Shtetëror është veçse i ashtuquajtur, nga që nuk është i tillë.