Herën tjetër që do t’iu shkojë në mendje të qëndroni buzë një shkëmbi panoramik, apo në majën e një ujëvare, kujdesuni mjaftueshëm për veten përpara se të bëni një “selfie”, pasi mund të jetë edhe gjëja e fundit që bëni në jetë.
Më shumë se 250 persona në mbarë botën kanë humbur jetën duke bërë “selfie” në 6 vitet e fundit, sipas një studimi të kryer nga “All India Institute of Medical Sciences”, një grup kolegjesh mjekësore publike me seli në Nju Delhi.
Gjetjet, që analizuan raportimet informative të të paktën 259 vdekjeve të lidhura me një “selfie” nga tetori i vitit 2011 deri në nëntor të vitit 2017, u publikuan në numrin e muajve korrik-gusht të “Journal of Family Medicine and Primary Care”.
Nga 259 vdekjet, studiuesit zbuluan se shkaku kryesor ishte mbytja, pas incidenteve ku përfshiheshin mjete transporti, – si shembull, bërja e një “selfie” përpara trenit që afrohet, – apo rëniet nga lartësitë. Shkaqe të tjera të vdekjeve të lidhura me “selfie”-t përfshijnë kafshët, armët e zjarrit apo rënia në korrent.
“Vdekjet pas një ‘selfie’ janë bërë një problem madhor i shëndetit publik”, thotë Agam Bansal, autori kryesor i studimit, për “Washington Post”.
Megjithëse studimi arriti në përfundimin se India kishte numrin më të lartë të vdekjeve se çdo vend tjetër në botë, raportime të shumta incidentesh fatale prej “selfie”-ve vijnë gjithashtu nga Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Pakistani.
Bansal thekson se, edhe pse thjesht veprimi i të bërit të një “selfie” nuk është vdekjeprurës në vetvete, rreziku shtohet kur njerëzit vendosin të ndërmarrin rreziqe në përpjekje për të bërë foton perfekte.
“Nëse dikush qëndron në vend dhe përpiqet të bëjë një foto me një personazh të famshëm apo diçka tjetër, kjo nuk është e dëmshme, – tha ai. – Por, nëse ‘selfie’ është i shoqëruar me sjellje të rrezikshme, kjo është ajo që i bën ‘selfie’-t të rrezikshme. Ajo që më shqetëson mua më shumë është shumica janë shkaqe të parandalueshme vdekjeje”.
Bansal shtoi se, shqetësim tjetër për të ishte fakti sesa shumë fatalitete të lidhura me “selfie”-t përfshijnë të rinjtë. Më shumë se 85 për qind e viktimave kanë qenë të grupmoshave 10-30 vjeç, shpjegon Bansal. “Këta formojnë të ardhmen e një kombi. Në atë moshë, shumë prej tyre nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë objektivat e tyre, nuk dinë madje se çfarë duan të bëjnë apo të bëhen. Janë thjesht në lulëzimin e jetës së tyre”./Top Channel