180 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia e Durrësit, ndërsa është vënë në pranga një person.
Burime të policisë bëjnë me dije se është arrestuar Altin Avdurramani 28 vjeç, banues në Lushnje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit, në automjetin e tij tip kamion me targa AA 537 HL dhe trailer me targa ACR 057, policia gjeti në brendësi të dy sarbatorëve të karburantit 165 pako me rreth 180 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.
Lënda narkotike e gjetur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” e mbetur në tentativë.