Ballina Kuzhinë Sekreti i sallamit Çokollatë

Sekreti i sallamit Çokollatë

Receta tipike përbëhet nga çokollata dhe gjalpi, por në këtë recetë do të përdorim fiq të thatë dhe pak vaj ulliri, të cilat ndihmojnë që sallami i çokollatës të lidhet e të ëmbëlsohet natyralisht.

I mbushur me fruta të thata, fibra dietike, proteinë dhe yndyrna të pasaturuara. Arrorët edhe pse të gatuar arrijnë t’ju ofrojnë plot vitamina, minerale dhe fibra tamam si frutat e freskëta.

AgroWeb ju sjell recetën e plotë të cilën mund ta përgatisni krejt lehtë për të dashurit tuaj.

Përbërësit:

  • 50 g lajthi
  • 50 g bajame
  • 50 g fistikë
  • 100 g biskota me bajame
  • 200 g çokollatë e zezë (75%)
  • 2 lugë gjelle kakao pluhur
  • 150 g fiq të thatë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • ½ lugë çaji ekstrakt vanilje
  • Sheqer pluhur për servirje

Përgatitja:

Parangrohni furrën në 180°C. Piqini lajthitë dhe bajamet për 10 minuta. Shtoni fistikët e piqini edhe për 10 minuta të tjera. Lërini të ftohen dhe më pas pritini ato bashkë me biskotat në copëza të vogla.

Ndërkohë, shkrini çokollatën në banjo-mari. Sapo ajo të shkrihet hiqeni tasin nga uji i nxehtë dhe shtoni në të kakaon. Përziejini mirë derisa të bashkohen plotësisht.

Në një mikser shtoni fiqtë, vajin e ullirit dhe lërini aty derisa të formojnë një pastë të trashë. Më pas hidheni këtë pastë tek çokollata sëbashku me ekstraktin e vaniljes dhe një majë gishtash kripë.

Më në fund erdhi edhe momenti që të shtoni në të frutat e thata dhe biskotat e copëtuara.

Ndajeni masën në dy pjesë të barabarta dhe punojeni atë me duar derisa të marri formën e sallamit. Përdorni letër kuzhinë për ta rrotulluar e për t’i dhënë formën ideale.

Mbështillini ato me letër kuzhine dhe vendosini në frigorifer përgjatë gjithë natës (minimumi 5 orë) në mënyrë që çokollata të forcohet. Në mëngjes hiqeni letrën e kuzhinës nga sallami i çokollatës dhe spërkateni atë me sheqer pluhur.

Në përfundim përdorni një spango si në video dhe lidheni sallamin për t’i dhënë pamjen e tij tipike.

Mbajeni gjatë gjithë kohës në frigorifer derisa të vijë momenti i servirjes.

Exit mobile version