Qoftet me mish të grirë mund të jenë receta më e lehtë për t’u përgatitur dhe me shijen më të mirë.
Të buta dhe krokante, qoftet janë perfekte për t’u kombinuar me çdo gatim tjetër, nga makaronat apo orizi e deri tek perimet e pjekura.
Një recetë e tillë nuk mungon kurrë në tryezat tona.
Zakonisht amvisat i përgatisin duke përdorur miell, si brenda tyre për t’i thithur lagështirën, por edhe për të mos thithur vaj kur skuqen.
Ama AgroWeb.org ju tregon një produkt tjetër që gjendet në shtëpitë tuaja që mund të zëvendësojë miellin.
Lexoni recetën dhe zbuloni si mund të përdorni bukën e thekur të thërrmuar për të përgatitur qoftet më të shijshme që keni provuar.
Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
300-400 gr mish i grirë
2 kokrra qepë
2 feta bukë
Bukë e thekur e thërrmuar
1 kokërr vezë
3-4 thelpinj hudhra
Vaj
Kripë, piper, nenexhik
Përgatitja
Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë dhe i përziejmë mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.
Tani AgroWeb.org ju sugjeron që tani të filloni të shtoni bukën e thekur të thërrmuar.
Duhet të hidhni aq sa brumi i qofteve të mos ju ngjitet në duar.
Filloni duke hedhur gjysmë gote uji me bukë thekur të thërrmuar dhe më pas ta punoni me masën tjetër.
Kur të jetë përzjerë plotësisht shtoni përsëri derisa të jeni të kënaqur me rezultatin.
Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokërr are.
I kalojmë përsëri në bukë të thekur, sa t’i krijohet një shtresë e lehtë në sipërfaqen e qofteve, dhe më pas i skuqim në zjarr të fortë nga të dyja anët.
Nëse preferoni, mund të përgatisni edhe salca të ndryshme shtëpie për t’i shoqëruar. Mund të përgatisni salcë me domate dhe hudhra.
Mjafton të skuqni si fillim 5-6 thelpinj hudhra të shtypur me vaj ulliri , e më pas shtojini 4-5 domate të grira në rende, hidhini kripë, piper e pak spec djegës nëse preferoni dhe lëreni në zjarr derisa salca të jetë gati.
Por mund të përgatisni gjithashtu edhe salcë kosi të kombinuar me kastravecë të grirë, hudhra dhe arra të grira gjithashtu. Sipër spërkateni me pak vaj ulliri.