Si të përgatisim sheqerparen krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit për brumin
- 250 gramë miell
- 100 gramë gjalpë
- 100 gram sheqer
- 1 kokërr vezë
- 2 lugë gjellë kos i bardhë
- 1 lugë e vogël me maja për ëmbëlsira
- Pak kripë
- Disa thelpinj arrash dhe bajamesh
- Për përgatitjen e sherbetit
- 200 gramë sheqer
- 200 ml ujë
- 2 lugë lëng limoni
- 1 lugë çaji me vanilje pluhur
Procesi i përgatitjes
Si fillim përgatisim sherbetin.
Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr që të vlojnë.
Në momentin që nisin të zjejnë, hedhim lëngun e limonit dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 5 minuta.
Më pas, e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Ndërsa sherbeti ftohet, nisim përgatitjen e sheqerpareve.
Në një enë të bollshme hedhim miellin, majanë, sheqerin, vezën, kosin dhe i përzjejmë që të gjitha bashkë derisa të njëtrajtësohen, më pas, hedhim gjalpin e shkrirë dhe pak fare kripë.
I përzjejmë me dorë të gjithë përbërësit derisa masa e përftuar të jetë e njëtrajtshme.
Më pas në një tavë shtrojmë letrën e kuzhinës, ndajmë brumin në forma ovale të sheshta dhe në mes krijojmë një gropëz të vogël ku vendosim nga një thelpi arre ose bajame.
Të gjitha sheqerparet e përgatitura i shtrojmë me rregull në tavë.
Ndërkohë ngrohim furrën në temperaturën 180 gradë celcius. Pasi furra të jetë nxehur fusim tavën me sheqerpare dhe i lëmë të piqen përreth 30 minuta derisa sheqerparet të marrin ngjyrë të praruar, të artë.
Pasi shqeqerparet janë pjekur, i heqim nga furra dhe siç janë të nxheta u hedhim përsipër sherbetin e ftohtë.
I vendosim në një pjatancë me rradhë dhe më pas i servirim për ti shijuar me familjen ose me miqtë.