Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së “thellësisht i alarmuar” nga sulmi izraelit mbi spitalin Al-Ahli

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është “thellësisht i alarmuar” nga sulmi i së dielës nga forcat izraelite mbi Spitalin Arab Al-Ahli në qytetin e Gazës. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric.

“Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, ky sulm e ka nxjerrë jashtë funksionit spitalin dhe ka goditur rëndë një sistem shëndetësor tashmë të shkatërruar në Rripin e Gazës,” thuhet në deklaratë.

Ai thekson se, sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, të plagosurit dhe të sëmurët, personeli mjekësor dhe institucionet shëndetësore – përfshirë spitalet – duhet të respektohen dhe të mbrohen.

Zyrtari i OKB-së gjithashtu paralajmëron se furnizimet mjekësore janë në përfundim, ndërkohë që spitalet po përballen me një numër të madh viktimash.

Këto deklarata vijnë pasi Agjencia Humanitare e OKB-së (OCHA) ka udhëhequr një mision për të inspektuar dëmet në spital, i cili u godit nga raketa izraelite në orët e para të mëngjesit të së dielës.