Sekretari i jashtëm britanik viziton Lindjen e Mesme: Situata është “tepër e rrezikshme”

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka nisur një vizitë në Bahrein dhe Jordani për të nxitur përpjekjet drejt sigurisë dhe stabilitet në rajon, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi zyrtar, ky udhëtim synon të nxisë dialogun me partnerët kryesor rajonal dhe të adresojë nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza dhe Liban.

Në takimet e tij me liderët në Bahrein dhe Jordani, Lammy do të theksojë shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar mbi potencialin për përshkallëzim të mëtejshëm dhe për llogaritje të gabuara, si dhe do të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm për të zbutur dhunën e vazhdueshme.

Ai gjithashtu do t’i bëjë thirrje “Iranit dhe përfaqësuesve prokurë të tij që të ndalojnë sulmet e tyre”, të cilat siç tha qeveria britanike, janë një burim i “kaosit dhe shkatërrimit” për ajonin dhe popullin e tij.

“Situata është tepër e rrezikshme dhe përshkallëzimi i mëtejshëm ose llogaritja e gabuar në rajon nuk është në interesin e askujt”, tha Lammy.

Ai shprehu kënaqësi që po “kthehet në rajon për t’u takuar me partnerët tanë kryesor në Bahrein dhe Jordani dhe për të parë nga dora e parë përpjekjet tona të kombinuara drejt ndërtimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë” në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk duhet të lëkundemi në këtë periudhë kritike për të arritur armëpushime në Gaza dhe Liban, për të marrë ndihma më të nevojshme në Gaza dhe për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve”, shtoi ai.

Gjatë vizitës së tij, Lammy do të angazhohet me personelin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, të stacionuar në Bahrein, të cilët po luajnë një rol jetik në ruajtjen e sigurisë së Gjirit, veçanërisht për transportin tregtar në Detin e Kuq.

Sipas qeverisë britanike, ai po ashtu do të fokusohet në forcimin e lidhjeve ekonomike, udhëheqjen e diskutimeve mbi sigurinë dhe prosperitetin rajonal, si dhe për rritjen e marrëdhënieve të biznesit.

Marrëdhënia tregtare midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GVV) është e rëndësishme dhe vlerësohet në mbi 57 miliardë funta.

Gjatë vizitës në Jordani, Lammy do të takohet me liderë të lartë, duke përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, Ayman Safadi, për të riafirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për përpjekjet humanitare të vendit në Gaza.

Izraeli vazhdon sulmet ajrore dhe tokësore në Liban, derisa kryen sulme edhe ndaj Rripit të Gazës.

Javën e kaluar, Irani lëshoi raketa në Izrael në hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.