Gavin Williamson, Sekretari i ri britanik i Mbrojtjes, në një intervistë dhënë për tabloidin “Daily Mail” nuk e fsheh pikëpamjen e tij se, çdo shtetas britanik që iu është bashkuar luftimeve në emër të ISIS-it nuk duhet lejuar të rikthehet në ishull.
Sipas pikëpamjes së tij, “një terrorist i vdekur nuk përbën më rrezik për Britaninë”. Ai thotë se “duhet bërë gjithçka, që të shkatërrohet dhe eliminohet ky rrezik ndaj Britanisë”.
Rreth 800 britanikë i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, ndërsa rreth 130 janë vrarë gjatë konfliktit. Williamson, i cili mori detyrën e Sekretarit të Mbrojtjes muajin e kaluar, thekson se “beson që asnjë terrorist, qoftë nëse vijnë nga Britania apo cilido vend qoftë, kurrë nuk duhet lejuar të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar”.
Sipas tij, çdo luftëtar që është larguar nga ky vend, “jo vetëm do të gjendet dhe do të ndalohet të rihyjë në Britani”, por “nuk do ketë vend të sigurt për atë edhe jashtë territorit britanik”.
Edhe Sekretari për Zhvillimin Ndërkombëtar, Rory Stewart ka deklaruar më herët se e vetmja mënyrë për t’u marrë me luftëtarët britanikë të Shtetit Islamik, është që në çdo rast t’i eliminojnë ata.
Ndërkohë ka opinione edhe nga specialistë që merren me rishikimin e legjislacionit të terrorizmit, të cilët mendojnë se “naiviteti” i këtyre luftëtarëve nuk duhet ndjekur penalisht, por do të duhet të riintegrohen në shoqërinë britanike me t’u rikthyer, gjë që është e vështirë t’ua shërbesh si argument familjeve të viktimave jo të paktë të sulmeve terroriste në Britani.