Sekretari Amerikan i Shtetit, Reks Tillerson zhvilloi një vizitë të papritur në Afganistan dhe Irak. Këto vizita u mbajtën të fshehta për arsye të sigurise së kryediplomatit të Uashingtonit, dhe nga frika e sulmeve të mundshme terroriste.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Reks Tillerson zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan dhe Irak gjatë së hënës. Ai udhëtoi në të dy vendet në fshehtësi të plotë, dhe mediat amerikane mësojnë se Tillerson dhe ndihmësit e tij kishin veshur jelekë antiplumb dhe helmeta në Bagdad para se të hipnin në helikopterët që i dërguan në Ambasadën e SHBA-ve. Pikerisht atje, kryediplomati mbajti takim me kryeministrin e Irakut Haider al-Abadi dhe Presidentin Fouad Massoum.
Lajmi për vizitën e kryediplomatit amerikan është bërë me dije vetëm pas largimit të Tillerson nga Afganistani. Gjatë takimeve të shkurtra ai shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për qeverinë Afgane pas një jave të mbushur me sulme nga talibanët ku u vranë më shumë se 200 persona.
Por Tillerson u takua edhe me disa liderë të Lindjes së Mesme. Vizita e tij në këtë rajon vjen për të kërkuar një bazë të gjerë për rithemelimin e Irakut të shkatërruar nga lufta dhe prezenca e organizatave terroriste.
Sekretari Amerikan i Shtetit bisedoi me aleatët sauditë edhe për krizën me Katarin të disa vendeve të Gjirit Persik, ku ai kërkoi zgjidhjen e problemeve mes këtyre vendeve.