Ballina Autorë Opinione “Sefaja” partiake po e jep rezultatin në arsim

“Sefaja” partiake po e jep rezultatin në arsim

Besim Nebiu

Vlerat e diplomave tona janë nga më pak të vlefshmet, ndërsa dituritë dhe kompetencat që i fitojnë nxënësit tanë i bejnë jokonkurrentë dhe me pak të përgatitur në krahasim me shumicën e moshatarëve të tyre anembanë botës. Në këtë mënyrë arsimi ynë prodhon gjenerata gjithnjë e më të dobëta, më pak të përgatitura dhe me aftësi dhe shkathtësi të nevojshmë për tregun e punës. Rritet numri i diplomave dhe të diplomuarve në mesin tonë, por ulet vlera dhe rëndësia e diplomave tona!

Besim NEBIU, Shkup

Për vite me radhë, Programi i Vlerësimit të Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) ka qenë një instrument kyç për ta vlerësuar dhe krahasuar cilësinë e sistemeve arsimore në nivel ndërkombëtar. Ky program i zhvilluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) i përfshin 80 vende dhe territore në të gjithë botën, duke përfshirë edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor. Për Maqedoninë e Veriut rezultatet e PISA-s kanë sjellë dritë mbi sfidat dhe arritjet e sistemit tonë arsimor.

Rezultatet e PISA-s për Maqedoninë e Veriut për vite me radhë kanë treguar sfida të konsiderueshme në sistemin arsimor. Dhe, jo vetëm kaq. Përkundër rezultateve të dobëta për vite me radhë, mungon reflektimi qenësor i institucioneve, si dhe politikat për ta përmirësuar situatën. Si rrrjedhojë, në vend se të ketë përmirësim, kemi trend të përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes së sistemit tonë arsimor.

Kështu, në vitin 2018, Maqedonia e Veriut kishte rezultuar në vendin e 64-t në matematikë, në vendin e 65-të në lexim dhe vendin e 62-të në shkencë. Këto rezultate janë në përgjithësi shumë më të ulëta se mesatarja e vendeve të tjera të OECD-së dhe kanë treguar një nevojë të dukshme për përmirësime në cilësinë e arsimit. Por, pesë vjet më vonë, përsëri nuk kemi përmirësim, por kemi përkeqësim të perfomansave arsimore. Sivjet, Maqedonia e Veriut, në rangim të përgjithshëm, është ranguar në vendin e 68-të: në vendin 61 në matematikë, në vendin 69 në shkencë dhe në pozitën 72 në lexim. Vlerësimi PISA zbatohet në 81 shtete të Europës, Azisë dhe Amerikës Latine, disa prejt tyre ekonomikisht të ngjashme ose edhe më të varfëra se Maqedonia e Veriut.

Pra, nuk ka se si të na ikë fakti se sistemi arsimor i Maqedonisë së Veriut ofron një nga pregatitjet me të dobëta arsimore në botë. Vlerat e diplomave tona janë nga më pak të vlefshmet, ndërsa dituritë dhe kompetencat që i fitojnë nxënësit tanë i bejnë jokonkurrentë dhe me pak të përgatitur në krahasim me shumicën e moshatarëve të tyre anembanë botës. Në këtë mënyrë arsimi ynë prodhon gjenerata gjithnjë e më të dobëta, më pak të përgatitura dhe me aftësi dhe shkathtësi të nevojshmë për tregun e punës. Rritet numri i diplomave dhe të diplomuarve në mesin tonë, por ulet vlera dhe rëndësia e diplomave tona!

“There’s no such thing as free lunch”

Thenia popullore amerikane thotë se nuk ekziston një gjë e tillë si “drekë falas”. Kjo nënkupton se kurdoherë hesapi vjen te hanxhiu, në një formë dhe kohë të caktuar ose në një tjetër. Kështu edhe neve sot po na vjen hesapi i kidnapimit të shkollimit dhe sistemit të arsimit nga aparati partiak e i pushtetit. Rrënimi sistematik tredekadësh i vlerave të sistemit arsimor dhe dhunimi i insitucioneve arsimore nga partia e pushtetit për të punësuar vartës dhe përkrahës e familjarë të tyre, shpesh pa vlera dhe shumë shpesh analfabetë, e prodhon këtë gjendje që e kemi sot. “Sefaja” partiake mbi arsimtarin dhe arsimin po e jep rezulattin e saj. Fëmijët tanë janë nga më pak të arsimuarit në botë. Në një mënyrë, liderët tanë politikë, shumica e të cilevë erdhën në skenën politike me arsimimim gjysmak, arritën ta barazojnë nivelin arsimor të popullit me shkallën arsimore të tyre!

Kur i përzien kriteret e meritës, krijohet sistem në të cilin kryetari i degës e zgjedh drejtorin, kurse ai i nëndegës i zgjedh arsimtarët. Devastimi i shkollave tona është pa mëdyshjen më të vogël rezultat i partizimit të këtillë skajshmërisht vulgar e të zbatuar të arsimit nga një kastë e të paarsimuarish me pushtet politik. Kur përkatësia në parti, aktiviteti në degë ose afërsia me kryetarin bëhen kritere kyçe ose në fakt të vetme në procesin e rekrutimit dhe promovimit të mësuesve dhe stafit shkollor, kjo nuk ka se si mos çojë në mungesën e kritereve të meritës. Çdo sistem i cili nuk ushqehet nga kritere të meritës në plan afat gjatë, është i destinuar të degradohet dhe të vdesë!

Mësuesit dhe stafi shkollor duhet të jenë të përzgjedhur dhe të promovuar në bazë të aftësive dhe përvojës së tyre, por favorizimi partiak i më pak të aftëve rezulton në përzgjedhjen e drejtorëve, por edhe mësuesve të paaftë, të papërgatitur ose të pamotivuar. Natyrisht, nuk janë të gjithë mësuesit partiakë dhe shumica janë të aftë, por kur sistemi e humb meritën dhe diturinë si kriter përparimi, atëherë edhe aftësia humbet si vlerë! Pikërisht kjo po ndodh në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut. Kjo e bën rënien arsimore kaq spektakolare në shifra e numra dhe kaq tragjike në kuptim të pasojave afatgjate negative për ardhmerinë e popullit dhe vendit.

Kurikulat e ideologjive dhe kauzave të trilluara

Natyrisht, ndikim negativ kanë edhe kurikulat shkollore të tranzicionit. Në vend që arkitekët e politikës arsimore në RMV të mësonin dhe kopjonin nga sisteme të suksesshme arsimore (FInlanda ose Danimarka, bie fjala!), pra të tilla që krijojnë nxënës me kompetenca dhe dituri të rangut të lartë, ata filluan ta përdorin kurrikulën shkollore për të përhapur ideologji të nacionalizmeve të egra dhe të fabulës së trilluar antike, të cilën e përdorin për agjenda të veçanta politike. Duke e mesuar nxënësin maqedonas se Leka i Madh është paraardhës i tyre dhe se të gjithë fqinjët janë të këqinj dhe grabitqarë (me një përjashtim të serbëve), partitë e establishmentit maqedonas krijuan dhe krijojnë “patriotë dhe votues të mirë” për vete, por nxënës dhe qytetarë me botëkuptime të shtrembëruara dhe punëtorë me aftësi të dobëta për tregun e punës.

Mësimi i prirur politikisht e kufizon zhvillimin e mendësisë kritike dhe analitike të nxënësve. Mungesa e bashkëpunimit dhe tolerancës, kur shkollat ndahen në mënyrë të thellë sipas miteve etnike ose partiake, kjo u jep narrative të panevojshme nxënësve dhe ka ndikim negativ në zhvillimin e aftësisë së tyre për të bashkëpunuar dhe për t’i toleruar njerëzit e tjerë me prejardhje dhe pikëpamje të ndryshme.

Shfrytëzimi i arsimit për qëllime të tjera, qofshin thjesht partiake, të punësimit dhe inxhenjeringut elektoral, ose të ideologjjizimit bizar dhe anakronik, krijon mjedis toksik, mjedis ku arsimi nuk është më një burim i pavarur i dijes dhe zhvillimit intelektual. Kjo pikërisht ka ndodhur sot në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse me tre universitete në gjuhën shqipe dhe tre universitete maqedonisht, kontribut, roli dhe rëndësia e tyre në shoqëri është fare minimale. Ata më shume shërbejnë si anekse partiake sesa si qendra të dijes dhe diturisë.

Kush jane fajtoret (per) PISA?

Në përfundim, nxënësit i kanë rezultatet e dobëta, por s’do mend se ata nuk janë fajtorët më të mëdhenj. Madje, faji nuk është as i mësimdhënësve. Fajtor për PISA-n janë politikanët, ata kryetarë që zgjedhin rektorë, dekanë e profesorë ordinarë e gjysmë ordinarë ”njeriun tonë” në vend të kandidatit më të përgatitur. Ata politikanë që kriter e kanë a është kandidati “i jonë” ose është “i atyre”. Me kandidatin “tonë” kaq mundet. Rezultate më të mira as që mund të priten! /revistashenja

Exit mobile version