Seanca për rastin e Liridona Ademajt shtyhet me kërkesë të avokatëve, të akuzuarit largohen nga gjykata të prangosur

Seanca e cila nisi të zhvillohej sot në kuadër të të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt është shtyrë për të premten, më 31 janar.
Seanca fillestare është shtyrë pasi ekipet mbrojtëse thanë se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance sot.

Në ora 11:00 pritet që të premten të nis sërish seanca ndaj katër të akuzuarve në këtë rast, kurse gjykatësja i paralajmëroi avokatët që në këtë datë të re të jenë të përgatitur.

Në Gjykatën Themelore, avokati i të akuzuarit, Naim Murseli, tha se kjo seancë nuk mund të mbahet, pasi pretendoi se nuk ka pranuar aktakuzën, shkresat e tjera të lëndës dhe CD-të me prova për këtë rast.

Ai tha se nuk është në gjendje që ta këshillojë klientin e tij as si të deklarohet për akuzat e as nuk mund t’i kundërshtojë provat.

“Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë”, tha ai.

Por, prokurorja e rastit tha se shkresat, CD-të dhe aktakuzat janë dorëzuar më 22 janar te njëri nga avokatët e të akuzuarve.

Avokatët e të akuzuarve Kushtrim Kokalla dhe Tom Dedaj, thanë po ashtu se s’kanë marrë shkresat pasi nuk po iu bënë emaili. Ata gjithashtu kërkuan shtyrjen e seancës.

Avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, u dënua me 500 euro për prishje të rendit në seancës, mosbindje ndaj gjyqtares.

Nga objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë tashmë janë larguar të akuzuarit në këtë rast, e të cilët ishin të prangosur e të siguruar mirë nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Në këtë seancë nuk pati ndonjë detaj tjetër, përpos prezantimit të shkurtër të të akuzuarve, ku ndër të tjerash Naim Murseli u pyet për gjendjen civile ku deklaroi se është i ve pasi “gruaja më është vrarë”.

Kurse i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla deklaroi se është i punësuar dhe është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Naim Murseli janë parë duke u larguar tashmë nga objekti i gjykatës në fjalë.