Seanca për caktimin e paraburgimit ndaj 30 të dyshuarëve në Karaçevë pritet të mbahet sot

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 30 të dyshuarëve të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar të premten në fshatin Karaçevë në Komunën e Kamenicës, pritet që të mbahet, sot para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Këtë e bën të ditur nga Prokuroria Themelore në Gjilan me anë të një njoftimi i për media.

“Sipas kërkesës, i dyshuari F.L., në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Po ashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj”.

“Të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme”.

Ndërsa të pandehurit D.S., F.S., N.K., S.D., E.K., A.S., B.S., A.TH., SH.S., F.S., B.S., F.S., V.S. dhe A.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra.

“Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së”, thuhet në njoftim.