Së paku 11 efektivë të FNSH kanë mbetur të plagosur nga përplasja që ndodhi para Ministrisë së Brendshme me protestuesit.
Ata janë shtruar në Spitalin Ushtarak, ku marrin ndihmën e parë mjekësore.
Në ambientet e Spitalit Ushtarak ishte drejtorit i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ku përgëzoi efektivëve e policisë për punën e bërë, ndërsa iu uroi shërim të shpejtë të lënduarve.
Veliu ka folur edhe lëndimin e kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi, duke theksuar se do të jenë pamjet filmike që do të hedhin më shumë dritë mbi këtë ngjarje.
“Falënderoj punonjësit e Policisë së Shtetit që treguan profesionalizëm dhe e menaxhuan me efikasitet. Bënë detyrën me integritet. Do jenë pamjet filmike që do saktësojnë nëse ka gabuar Policia e Shtetit apo qytetarët”, tha Veliu.
Pa incidente të mëdha, përfundon protesta e opozitës në Tiranë
Pas rreth dy orësh, ka përfunduar edhe protesta e opozitës, që pavarësisht tentative sporadike, mund të thuhet se u mbyll në mënyrë të qetë e paqësore.
Protestuesit u grumbulluan fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbajti fjalën e tij edhe lideri i PD-së, Lulzim Basha. Ai bëri thirrje për t’u bashkuar kundër qeverisë në pushtet, që siç tha, zhvat qytetarët dhe i shërben krimit e oligarkëve.
Më pas Basha ftoi protestuesit të marshojnë drejt qendrës së Tiranës, pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme, brenda të cilës ndodhej edhe ministri Fatmir Xhafaj.
Incidentet e para u regjistruan para kryeministrisë, teksa turma po largohej për te godina e Ministrisë së Brendshme. Disa protestuesë hodhën flakadanë dhe sende të tjera, drejt forcave të policisë, por që gjithçka përfundoi shpejt dhe qetësisht.
Më pas, protestuesit rrethuan godinën e Ministrisë së Brendshme, ku krahas thirrjeve “Xhafaj Ik!”, tentuan disa herë të çajnë kordonin policor, që ruante perimetrin e sigurisë.
Në momentin që situata po shkonte drejt agravimit, ishin deputetë të PD-së, me në krye liderin e opozitës, Basha, që u vunë në krye të turmës dhe ftuan protestuesit të largohen, drejt selisë së PD-së.
Pikërisht në ‘shtëpinë e opozitës’, Basha mbajti edhe një fjalim të fundit, ku falënderoi protestuesit dhe tha se bashkë me ta sot foli edhe Europa, që refuzoi hapjen e negociatave me qeverinë e krimit.
Aktualisht shumica e protestuesve janë shpërndarë, ndërsa një numër i konsiderueshëm e tyre, ndodhen ende në ambientet e selisë së Partisë Demokratike./Tch