Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka siguruar refugjatët se banorët e mirë-integruar mund të vazhdojnë të qëndrojnë dhe punojnë në Gjermani, edhe pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, transmeton Anadolu.
“Kushto që është i mirë-integruar, që studion në Gjermani, që punon në Gjermani, që flet gjermanishten, mund të qëndrojë, edhe pse kushtet në vendlindjen e tyre kanë ndryshuar. Mendoj se kjo është ajo që kërkon njerëzimi”, tha Scholz.
Kancelari gjerman i bëri këto komente në fund të samitit të Bashkimit Evropian (BE), që u mbajt dje në Bruksel, ku liderët diskutuan mbi Sirinë, marrëdhëniet diplomatike të mundshme me qeverinë e re në Damask, si dhe mbi debatin në vazhdim për kthimin në vendlindjen e tyre të refugjatëve sirianë në Evropë.
Kancelari social-demokrat kritikoi partitë evropiane të krahut të djathtë për nisjen e fushatave të nxituara për riatdhesimin e refugjatëve sirianë pas rënies së Asadit. Ai theksoi se situata politike në Siri mbetet e pasigurt.
“Diskutimi i vazhdueshëm për kthimin e qytetarëve sirianë, që kërkuan strehim në vendet tona, më duket mjaft e çuditshme… sepse askush nuk mund të jetë i sigurt tani nëse ata mund të kthehen. Por, natyrisht, ka shumë që duan të kthehen nëse lehtësohej situata. Ne atëherë do t’i mbështesim dhe do ta bëjmë këtë të mundur”, tha Scholz.
Kancelari gjerman theksoi se autoriteti i migrimit i Gjermanisë ka pezulluar përkohësisht vendimet ndaj aplikimeve siriane për azil për shkak të pasigurisë lidhur me kushtet në Siri.
Kjo çështje është bërë një temë kryesore e fushatës para zgjedhjeve të parakohshme të muajit shkurt në Gjermani. Derisa kristian-demokratët e opozitës dhe AfD-ja e ekstremit të djathtë përkrahin kthimin e shpejtë të refugjatëve, social-demokratët e kancelarit Scholz dhe partneri i tyre i koalicionit Të Gjelbrit favorizojnë një qasje më të matur.
Gjermania strehon rreth 1 milion sirianë të cilët ikën nga vendi i tyre pas shpërthimit të luftës civile në vitin 2011. Midis tyre, 321.500 kanë statusin e refugjatit, ndërkohë 330 mijë posedojnë leje të përkohshme të qëndrimit nën mbrojtje shtesë.