Scholz kritikon Musk-un për përdorimin e fuqisë së mediave sociale për të mbështetur të djathtën ekstreme

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kritikuar ashpër biznesmenin Elon Musk, duke e akuzuar miliarderin e teknologjisë për përdorimin e fuqisë së tij të mediave sociale për ndërhyrje në çështjet globale dhe për mbështetje të lëvizjeve të ekstremit të djathtë.

Në një intervistë për Anadolun para zgjedhjeve të parakohshme të Gjermanisë më 23 shkurt, Scholz shprehu shqetësim të veçantë për ndikimin e Musk-ut në proceset demokratike në Evropë.

“Jam takuar me zotin Musk shumë kohë më parë. Kur ai inauguroi fabrikën e tij në Brandenburg, ne patëm një bisedë. Më vonë, patëm një tjetër bisedë telefonike, e cila gjithashtu kishte të bëjë me interesat e tij të biznesit”, tha Scholz.

“Megjithatë ai ka filluar së fundmi të përdorë fuqinë e tij të sapo fituar mediatike për të ndërhyrë në të gjithë botën”, theksoi Scholz, duke iu referuar avokimit politik të profilit të lartë të Musk-ut ndër të tjera në SHBA, Britani dhe Gjermani.

Kancelari gjerman, i cili kandidon si kandidat i Partisë Social Demokrate (SPD) për një mandat të dytë, u mbështet në perspektivën historike në trajtimin e ndikimit të Musk-ut.

“Jam njohur me ndërhyrjet e sipërmarrësve të fuqishëm të medias, ata shpesh nuk e bëjnë këtë në pozitat e partisë sime, socialdemokratëve. Kjo është diçka që ne e kemi parë që nga shekulli i 19-të. Ajo që më shqetëson është mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë. Sepse kjo rrezikon demokracinë dhe bashkëjetesën në Evropë. Dhe unë e kritikoj këtë dhe do të vazhdoj ta kritikoj këtë”, tha Scholz.

– Ngritja e lëvizjeve të ekstremit të djathtë

Kritikat vijnë mes shqetësimeve në rritje në Gjermani për ngritjen e lëvizjeve të ekstremit të djathtë, veçanërisht partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilën Scholz e akuzoi se kërkon të përçajë vendin përmes retorikës anti-emigrantë.

Scholz përsëri qëndrimin e tij të vendosur kundër ekstremizmit të ekstremit të djathtë, duke theksuar se lëvizje të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vlerat demokratike të Gjermanisë. Ai tha se emigrantët kanë forcuar shoqërinë gjermane përmes kontributeve të tyre jetike në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe industrinë.

“Gjermania është një vend që ka fituar të gjithë prosperitetin dhe fuqinë e saj ekonomike falë faktit që shumë njerëz kanë dhënë asistencë këtu. Duke filluar me punëtorët mysafirë të viteve 1960”, tha Scholz, duke iu referuar një programi që vazhdoi të përfshijë miliona punëtorë turq që zhvendoseshin në Gjermani.

“Dhe të gjithë ata që jetojnë sot këtu, nga shumë vende të ndryshme, të cilët janë të përfshirë në të gjithë sektorët, në universitete, në objekte kërkimore të kompanive, në punishte, në spitale”, theksoi ai.

Scholz foli edhe për sulmin në Magdeburg dhjetorin e kaluar në një treg krishtlindjesh, që vrau gjashtë persona dhe plagosi rreth 300 të tjerë.

“Isha shumë i prekur nga ajo që bëri publike spitali i Magdeburgut pas sulmit të tmerrshëm. Ata thanë se nuk do të kishim mundur të shpëtojmë shumë jetë pa mjekët dhe infermierët e shumtë të ardhur nga vendet e tjera, të cilët po na ndihmojnë këtu”, tha Scholz.

Elon Musk, një aleat i ngushtë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shkaktoi kritika të ashpra nga qeveria dhe grupet e të drejtave të Gjermanisë pasi përkrahjes publike ndaj AfD-së së ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 shkurtit. Miliarderi i teknologjisë, i cili gjithashtu drejton kompanitë Tesla dhe SpaceX, është përballur me reagime për përdorimin e platformës së tij, X për të ndikuar në politikën evropiane.

Lidhur me marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës nën administratën e dytë të presidentit Trump, Scholz shprehu optimizëm të matur, pavarësisht dallimeve të thella për çështjet e sigurisë dhe tregtisë.

“BE-ja është e fuqishme. Me 450 milionë banorë, (BE-ja) është zona më e madhe ekonomike në botë. Dhe duke u bazuar në këtë, ne mund të veprojmë në mënyrë të pavarur dhe të sigurt, me qëllimin e një bashkëpunimi të mirë. Aleanca transatlantike, bashkëpunimi transatlantik është në interesin më të madh për ne. Dhe kjo është arsyeja pse ne do të veprojmë gjithmonë me frymë bashkëpunimi, por me qëndrim të vendosur. Sepse Evropa është e fortë”, theksoi ai.

Presidenti amerikan Trump vazhdimisht ka kritikuar vendet evropiane për mungesat e ekuilibrit tregtar, qasjen në treg dhe politikat rregullatore. Ai ka vënë në shënjestër në mënyrë specifike tarifat mbrojtëse të BE-së dhe standardet mjedisore për automobilat amerikan, duke i quajtur ato barriera tregtare.

Trump gjithashtu ka kundërshtuar fuqishëm rregulloret evropiane që prekin gjigantët e teknologjisë amerikane si Apple, Google dhe Amazon, duke kërcënuar me tarifa hakmarrëse si përgjigje.

Pas inaugurimit të tij këtë javë, Trump intensifikoi kritikat e tij ndaj aleatëve evropian për shpenzimet e mbrojtjes, duke kërkuar që ata të ndajnë 5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtjen, respektivisht më shumë se dyfishi i objektivit aktual prej 2 për qind të NATO-s. Skepticizmi i tij ndaj angazhimeve të mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe kritikat ndaj ndihmës së mëparshme ushtarake të SHBA-së për Ukrainën kanë ngritur shqetësime serioze në Berlin për angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj sigurisë evropiane.

– Marrëdhëniet BE-Türkiye

I pyetur për prioritetet e mundshme të politikës së jashtme për një mandat të dytë dhe perspektivën e tij për bashkëpunimin midis BE-së dhe Türkiyes, Scholz theksoi lidhjet e forta ekonomike midis Gjermanisë dhe Türkiyes. Ai gjithashtu theksoi mundësitë për një partneritet më të thellë.

“Marrëdhëniet ekonomike midis Gjermanisë dhe Türkiyes janë shumë të mira. Tregtia, shkëmbimi i mallrave dhe i shërbimeve vazhdojnë të rriten dhe sapo kanë arritur nivele rekord dhe ne mund të presim që ky trend të vazhdojë”, tha Scholz.

Kancelari socialdemokrat gjithashtu theksoi përkushtimin e tij për forcimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit BE-Türkiye në fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë tregtinë, sigurinë dhe çështjet e mbrojtjes.

“Një kontribut që Gjermania mund të japë është të sigurojë përmirësimin e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe BE-së. Kjo është arsyeja pse unë kam mbrojtur fuqimisht që BE-ja të rifillojë diskutimet, dialogun dhe bisedat rreth çështjeve që ekzistojnë midis BE-së dhe Türkiyes. Kjo tani ka ndodhur dhe do të vazhdojë. Unë jam shumë i përkushtuar për këtë”, tha Scholz.

Lidhur me interesin e Türkiyes për blerjen e avionëve ‘Eurofighter Typhoon’, Scholz tha se aktualisht bisedimet teknike janë duke u zhvilluar përpara një shitje të mundshme.

“Tërkiye është gjithashtu e interesuar të forcohet duke blerë sisteme gjermane të mbrojtjes, për shembull avionët tanë luftarakë. Kjo tani po shqyrtohet në Türkiye dhe ne e kemi bërë të mundur. Le të shohim se si do të dalë rishqyrtimi në Türkiye”, tha ai.

Avionët luftarakë ‘Eurofighter Typhoon’ prodhohen bashkërisht nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Spanja. Përfshirja e Gjermanisë në procesin e prodhimit kërkon miratimin përfundimtar të saj që të bëhet shitja.