Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha sot në Prishtinë se çështja e liberalizimit të vizave duhet të shkojë përpara.
Scholz në konferencën për media tha se i vjen mirë që po viziton Kosovën si vend të parë në Ballkanin Perëndimor.
“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, tha ai.
Kancelari gjerman foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është shumë i rëndësishëm, ndërsa kërkoi nga të dyja palët zotim të qartë dhe konstruktivitet.
Ai tha po ashtu se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.
“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane…E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës”, tha ai.