Kanë nisur të shtohen kërkesat e anëtarësisë së sindikatave për veprime të ashpra sindikale nëse Ministria e Financave nuk ofrojnë dëshmi se janë bërë planifikime buxhetore për Ligjin e Pagave
Përfaqësuesit e SBASHK-ut, FSSHK-së, SPK-së, Sindikatës së Zjarrfikësve dhe Doganave, në një konferencë për media, kanë vendosur bashkërisht që t’i drejtohen kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave Besnik Bislimi për një takim urgjent, për të debatuar rreth zbatimit të ligjit të pagave.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se do të insistojnë për një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Besnik Bislimi rreth zbatimit të Ligjit të ri të pagave.
Me këtë rast Jashari ka paralajmëruar se do të merren masa sindikale në rast se buxheti për 2020 do të aprovohet pa koston e Ligjit të ri të pagave.
“I kemi dërguar kryeministrit Kurti një shkresë me kërkesën që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të na takojë dhe të debatojmë për këtë çështje dhe besoj që ai do ta ketë në takim edhe ministrin Bislimi dhe do të na heqin këtë stres duke uruar që të na dëshmojnë se në plan-buxhetin e vitit 2020 do të kenë paraparë edhe pjesën për Ligjin e pagave… Nëse vërtet ndodh kjo që të harrohet me ose pa qëllim ligji i pagave, atëherë do të jemi në situatë kur ne duhet t’i përgjigje zërit të anëtarësisë dhe uroj që Qeveria Kurti nuk e ka harruar janarin e vitit të kaluar kur sektori i arsimit pikërisht ishte në luftë për të arritur koeficient pak më meritor kishte shkuar në një grevë tre javore”, u shpreh Jashari.
Për më tepër kreu i sindikalistëve të arsimit paralajmëroi se nëse serish do të ketë greva, atëherë orët e humbura mësimore nuk do të zëvendësohen.
Edhe përfaqësuesit e sindikatës nëpër komuna janë shprehur të gatshëm për grevë nëse aprovohet buxheti për vitin 2020 pa koston e Ligjit të pagave.
Nga Komuna e Vushtrris, Alush Maloku, punëtor sindikal, tha Qeveria aktuale me veprimet e saj po i detyron që të hyjnë në grevë.
“Edhe Komuna e Vushtrrisë është e shqetësuar për këtë veprim dhe nëse është e vërtetë, mirëpo na gjithmonë themi që ajo fjala që folët gjithnjë del e saktë. Ne nga Vushtrria mjaft jemi ballafaquar me të gjitha qeveritë. Kur qeveritë nuk i kryejnë obligimet e veta, unë nuk e di çka pritet prej shtetit tonë. Nuk jemi për grevë, mirëpo po na detyrojnë vetë qeveritarët, u shpreh Maloku.
Sindikalisti nga Novobërda, Besnik Kurteshi deklaroi se nëse miratohet buxheti pa koston e pagave, atëherë do t’i dalin në krah të gjitha sindik atave përmes grevave dhe protestave.
“Nëse ndodh miratimi i buxhetit 2020 pa koeficient, atëherë ne qëndrojmë prapa sindikatës, në protesta apo greva çka do qoftë, duke marrë parasysh që Qeveria aktuale thirret në miratimin e ligjit dhe zbatimin e saj andaj çdo vendim i Kuvendit është obligim për Qeverinë, andaj ne duam zbatim të ligjit”, u shpreh Kurteshi.
Edhe Fadil Halimi, punëtor sindikal nga Podujeva, paralajmëroi greva nëse nuk do të aprovohet Ligji i Pagave.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik deri më 30 mars 2020.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor në Kushtetuese e ka dërguar Institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Sipas ligjit të ri, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë (69) nivele të koeficienteve.
Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.