“Save The Children UK” bëri sot një apel urgjent drejtuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, duke bërë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të të gjitha shitjeve të armëve Izraelit, transmeton Anadolu.
Organizata bamirëse përmendi “rrezikun e qartë” që këto armë mund të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Thirrja vjen pas një incidenti tragjik në Gaza, ku gjashtë fëmijë, përfshirë një grup katërnjakësh dhjetëvjeçarë dhe nëna e tyre, u vranë në sulme ajrore izraelite.
Organizata shprehu dhimbje dhe zhgënjim të thellë për dhunën e vazhdueshme, veçanërisht ndikimin e saj shkatërrues mbi fëmijët palestinezë.
“Ne jemi absolutisht të lënduar kur shohim se gjashtë fëmijë – përfshirë një grup katërnjakësh dhjetëvjeçarë dhe nëna e tyre – janë viktimat e fundit të sulmeve ajrore izraelite në Gaza”, tha Save The Children UK në X.
“Ne thjesht nuk mund ta pranojmë dhunën me të cilën vazhdojnë të përballen fëmijët palestinezë”, tha organizata.
Autoritetet shëndetësore të Gazës raportuan të paktën 42 vdekje të tjera nga sulmet izraelite sot, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga 7 tetori në 40.265.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, pas një sulmi të Hamasit, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Mbi 10 muaj nga fillimi i luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese ndaj ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante