Sasia e ujit për person në Gaza është ulur nga 90 litra në 2 litra

Zëdhënësi i Bashkisë së Gazës, Hosni Mehna, tha se kriza humanitare në Gaza, ku Izraeli shkakton uri dhe etje, është intensifikuar dhe sasia e ujit për frymë është ulur nga 90 litra në 2 litra.

Në një deklaratë për Anadolu, Mehna informoi rreth gjendjes në Rripin e Gazës të cilën Izraeli mbi pesë muaj e bombardon dhe detyron njerëzit të mbesin të uritur dhe të etur.

Ai tha se ndihmat që vijnë në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore janë shumë të rëndësishme por se janë të pamjaftueshme. “Paralajmërojmë se nëse kriza humanitare vazhdon të përkeqësohet tmerrësisht, vdekjet nga uria dhe etja do të rriten në veri të Gazës”, u shpreh ai.

Sipas tij, para luftës në Gaza, sasia e ujit për person ka qenë 90 litra ndërsa sot ka rënë në 2 litra. Ai theksoi se mungesa e ujit është për shkak të dëmtimit serioz të rrjeteve të ujit gjatë sulmeve të dhunshme të Izraelit ndaj infrastrukturës dhe objekteve komunale.

Infrastruktura e shkatërruar nga Izraeli

Mehna tha se ushtria izraelite shkatërroi 40 puse uji, 9 depo uji, 42 mijë metra rrjet uji dhe 500 valvola me diametra të ndryshëm dhe se nuk mund të gjejnë karburant për të operuar puset e mbetura të ujit. Ai thotë se Bashkia e Gazës nuk ka mundur të furnizojë me karburant që nga fillimi i nëntorit të kaluar dhe se karburantet duhet t’u sigurohen bashkive për të ofruar shërbime bazë.

Duke theksuar se kushtet mjedisore janë në një nivel “katastrofik” për shkak të grumbullimit të 70 mijë tonëve mbeturina në rrugët e qytetit të Gazës, veçanërisht rreth spitalit Al-Shifa, Mehna tha se ushtria izraelite shkatërroi 1 milion metra katrorë rrugë vetëm në qytetin e Gazës.

Është bërë e ditur se 27 persona kanë vdekur deri më tani nga “uria dhe etja” në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka shkaktuar uri duke mos lejuar hyrjen e ndihmave. Izraeli ka vendosur bllokadë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët në pjesën veriore.

Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, mbi 31.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në luftën izraelite në Gaza, si dhe mbi 72.700 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, sulmet izraelite kanë çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.