Sarrazin: E ardhmja e dialogut vendoset në Bruksel

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel, për sulmin terrorist në Banjskë si lojën e Vuçiqit me dy karrige, BE dhe Rusi.

I pyetur rreth procesit të dialogut nëse ai ka vdekur, si dhe letrës së ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq për tërheqje të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit, Sarrazin ka theksuar se e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi është në duart e Shefes së Lartë të BE-së të, Kaja Kallas.

Reklamë
ADVERTISEMENT
“Jam i vetëdijshëm për letrat që janë shkruar nga ish-kryeministrja Bërnabiq dhe pastaj vlerësimet tona kanë qenë shumë negative dhe kemi komunikuar për këtë. Së pari, e ardhmja e dialogut vendoset në Bruksel, sigurisht se shtetet anëtare mund të kenë mendime, por e kemi përfaqësuesen e lartë që tash do të vijë në pozitë, që është Kaja Kallas. Pra, nuk do t’ia imponoj unë nga Gjermania se çfarë do të bëjë ajo. Gjëja e dytë, qëndroj këtu por përpiqem t’u shpjegoj se kemi dështuar për të siguruar zgjidhje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë në këtë pako (marrëveshjen e CEFTA-s), që është një gjë është shumë më e vogël se sa dialogu. Kush jam unë që të gjykoj se ndërmjetësi ka pasur faj nëse palët kanë pasur mungesë vullneti për t’u pajtuar për gjëra të tilla, për shkak se mund të jenë para zgjedhjeve të tyre vendore”, ka theksuar Sarrazin.

Ai duke folur për sulmin në Banjskë, e ka cilësuar atë si një akt terrorist dhe ka thënë se personat përgjegjës për këtë sulm duhet të vihen para drejtësisë.

“Gjermania që nga momenti i parë ka qenë shumë e qartë për sulmin terrorist në Banjskë. Personat përgjegjës duhet të vihen para drejtësisë dhe këshilltarët tanë të sigurisë kanë qenë shumë të qartë sa i përket kësaj me presidentin Vuçiq. E shohim që ata thonë se organet ligjzbatuese po punojnë në këtë drejtim dhe ne presim të shohim rezultate. Kemi parë rezultatet e organeve ligjzbatuese në Kosovë, që është gjë pozitive, por që është shumë me rëndësi të shfaqet vullneti për të pasur edhe zbatim edhe në anën e Serbisë, që të tregohet që kjo të mos ndodhë më. Sigurisht se e dimë që situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar. Reagimi ynë nuk ka qenë vetëm ‘ti kërkohet Serbisë të marrë masa por edhe të përmirësohet siguria në Kosovë me dërgimin e personelit tonë ushtarak në kufij të Kosovës. Gjermania dhe të gjithë aleatët qëndrojnë në anën tuaj. Tani kemi më shumë roje në kufij pas këtij sulmi”, ka thënë Sarrazin.

Kur u pyet mbi mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, Sarrazin ka theksuar se sanksionet janë një veprim që mund të ndërmerret vetëm në nivel evropian dhe se BE ka disa kritere ligjore që duhet të përmbushen.

“Jemi duke ushtruar presion, madje në mënyrë masive në palën serbe. Ndoshta jo shumë gjëra shihen publikisht, jo që është vërejtur aq shumë angazhimi ynë në kuptimin tregtar edhe para perdeve. Duhet të jem shumë i qartë se sanksionet janë veprim evropian. Pra, BE ka disa kritere ligjore që duhet të përmbushen. Ne si shtet jemi pajtuar që t’i vëmë në nivel evropian të Politikës së Jashtme. Mendoj se kjo është e duhura, sepse pastaj do të kishte një lloj kakofonie të 28 shteteve në natyrën e tyre. E di që Mbretëria e Bashkuara dhe SHBA-të janë më të fuqishme në këtë drejtim, sepse nuk kanë vende të caktuara në Këshill që mund ta bllokojnë vendimin për ndonjë sanksionim të ndonjë individi në Serbi, siç është Radojiçiqi”, ka shtuar Sarrazin.

Kur është pyetur se deri kur do ta durojnë Vuçiqin të luajë me dy karrige, edhe në BE edhe me Rusinë, Sarrazin ka kritikuar ashpër pozita e Serbisë në lidhje me balancimin mes Lindjes dhe Perëndimit.

“Nuk më pëlqen fare kjo qasja e Serbisë që të ketë dy ulëse apo të luajë me këtë balancimin mes Lindjes dhe Perëndimit, por kjo ka pasoja negative vetëm për Serbinë dhe marrëdhënien e tyre me BE-në. Kjo nuk e ndikon rajonin”, ka përfunduar ai.