Sardele të pjekura me hudhër dhe dafinë

Krenaria e detit Shqiptar dhe jo vetëm.

Sardelet janë ndër peshqit më të vegjël, por që mbajnë brenda tyre shije e vlera të mëdha.

Ato mbrojnë kockat, zemrën dhe janë të pasura me proteina duke u kthyer kështu në një ushqyes perfekt për trupin

Popullariteti i tyre është rritur ndjeshëm, sepse njerëzit po kuptojnë që sardelet janë një burim i pasur i acideve yndyrore Omega 3 dhe vitaminës D.

Por edhe për faktin që duke qenë se sardelet ushqehen vetëm me alga dhe plankton janë krejtësisht të sigurt për njerëzit.

Përtej të mirave shëndetësore ky peshk i vogël është dhe mjaft i shijshëm e sidomos kur piqet në furrë.

Me tulin karakteristik që kthehet në krokan pasi del nga furra apo nga skuqja janë një nga servirjet më të veçanta të tryezës.

Përbërësit

  • 1 -1.5 kg sardele
  • 5-6 thelpinj hudhër
  • 2-4 gjethe dafine
  • 120 ml lëng limoni
  • 120 ml ujë
  • Kripë
  • Piper i zi

Përgatitja

Pastroni mirë sardelet siç bëni zakonisht.

Lajini me ujë të bollshëm disa herë dhe kullojini për të vazhduar me recetën.

Ndërkohë në një enë të thellë shtoni të gjithë përbërësit, përveç peshkut.

Pra, përzieni kripën, dafinën, piperin e bluar, thelpinjtë e hudhrës të grirë, lëngun e limonit dhe ujin.

Zdhidhni një tavë të gjerë dhe shtroni aty një nga një sardelet tuaja pasi të keni tharë pak nga uji.

Sipër lyejini mirë me masën që sapo përgatitët duke u kujdesur t’i lyeni ato dhe nga brenda për më shumë shije.

Të gjithë masën e lëngëshme hidheni në mënyrë të njëtrajtshme tek sardelet.

Futini në furrë në ngrohtë dhe piqini në temperaturën 180 gradë për 45 minuta.

Sardelet do të jenë gati kur të kenë marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe dhe të jenë kthyer në krokante.

Nxirrini nga furra e mund t’i konsumoni menjëherë të ngrohta, shoqëruar me sallatë jeshile e limon.