Saraji Is’hak Pasha në qytetin Ağrı të Turqisë, që është saraji i dytë më i madh pas Sarajit Topkapi në Stamboll, me pamjen e tij madhështore dhe mjedisin paqësor që është arritur në rajon, thuajse është vërshuar nga turistët, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në Ağrı, qytet ky i cili tërheq vëmendjen me objektet historike dhe bukuritë natyrore dhe që cilësohet si “vendkalim i civilizimeve”, është intensifikuar sezoni i turizmit me paqen që mbizotëron, e cila është arritur pas luftës së qeverisë turke kundër terrorizmit.
Saraji historik Is’hak Pasha, së bashku me Kalanë Doğubayazıt dhe Tyrben Ahmed-i Hani, janë bërë destinacione jo vetëm të turistëve vendorë dhe të huaj, por edhe artistëve të fotografisë.
Krahas Sarajit Is’hak Pasha, i cili është ndërtuar në Periudhën e Tulipanëve të Perandorisë Osmane me një arkitekturë të veçantë dhe i cili është saraji i dytë më i madh në Turqi pas Sarajit Topkapi të Stambollit, vizitorët kanë mundësinë që në të njëjtën kohë t’i shëtisin edhe Kalanë Doğubayazıt dhe Tyrben Ahmed-i Hani.
Buxhet prej 1 milionë e 700 mijë lirash për restaurim
Prefekti i qytetit Ağrı, Musa Işın, për AA thotë se i japin rëndësi vlerave historike dhe se për sarajin ka interesim të madh turistik.
Işın thekson se në qytet është e nevojshme të shihen bukuritë historike dhe natyrore, duke shprehur bindjen se do të shtohet edhe më tepër numri i vizitorëve. Ai njoftoi se për restaurimin e objekteve historike kanë ndarë buxhet prej 1 milion e 700 mijë lirash.
“I ftoj të gjithë t’i vizitojnë këto vlera historike. Kur të vijnë do të përballen me vlera shumë të veçanta historike”, shton Işın.
Ndërkaq, Ulaş Akhan, zëvendëskryetar i bashkisë rikujtoi se përreth sarajit janë bërë aktivitete të pyllëzimit dhe pastrimit.
“Ne e perceptojmë si një tërësi historike Sarajin Is’hak Pasha, Tyrben Ahmed-i Hani, Kalanë Bayazıt dhe Xhaminë Bayazıt, dhe përpiqemi të krijojmë mjedis të gjelbër përreth këtij rajoni”, thekson Akhan.
Suksesi i shtetit në luftën kundër terrorizmit ka rigjallëruar turizmin
Duke vënë theks të veçantë mbi rëndësinë e sarajit, Akhan njoftoi se në vitin 2013 Sarajin Is’hak Pasha e kishin vizituar 250 mijë persona, shifër kjo e cila kishte pësuar ulje drastike më pas për shkak të sigurisë. Megjithatë, siç thotë Akhan, rivënia e kontrollit nga shteti në vitin 2015 në rajon dhe suksesi i shtetit në luftën kundër terrorizmit ka kthyer sigurinë dhe paqen.
“Këtë mund ta masim më së miri përmes vizitorëve të Sarajit Is’hak Pasha. Vetëm në dy javët e fundit kemi pasur rritje të madhe të vizitorëve të sarajit”, shtoi Akha.
Akhan vuri në dukje se interesimi i madh për sarajin nuk vjen vetëm nga turistët vendas, por edhe ata të huaj.
“Na jep edhe më tepër motiv fakti që ballafaqohemi jo vetëm me turistë nga qytetet e tjera, por edhe me interesimin e madh të turistëve nga vende si Koreja e Jugut, Kina dhe vendet e Ballkanit”, thotë Akhan.
Sarajin e kanë shëtitur një mijë turistë në ditë
Ndërkaq, drejtori për Kulturë dhe Turizëm në provincën Ağrı, Muhsin Bulut, thekson se Saraji Is’hak Pasha është një nga qendrat më të rëndësishme turistike të rajonit.
“Me ngrohjen e motit dhe me klimën paqësore në rajon, kemi intensitet të madh turistik në kuptimin e plotë të fjalës. Sarajin e kanë shëtitur një mijë vizitorë në ditë. Besojmë se ky numër do të rritet tutje”, thotë Bulut.