Sarajevë, shfaqet dokumentari “Sarajevo Safari”

Miran Zupanic

Në Sarajevë u shfaq dokumentari i regjisorit slloven Miran Zupanic, “Sarajevo Safari”, i cili flet për faktin se si disa njerëz të pasur paguanin ushtarët serbë për të shkuar në “gjueti të njerëzve” në kryeqytetin boshnjak gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dokumentari “Sarajevo Safari” u shfaq në Festivalin e 5-të Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar (AJB DOC) në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili filloi më 9 shtator dhe do të vazhdojë deri më 13 shtator, ku Anadolu Agency (AA) është Partneri Global i Komunikimit.

Në një prononcim për AA, Zupanic tha se dokumentari shfaq realitetin e rrethimit të Sarajevës.

Duke thënë se dokumentari ka të bëjë me njerëzit e pasur që vizitojnë pozicionet e Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) rreth Sarajevës gjatë luftës dhe shkojnë në “gjueti të njerëzve”, Zupanic tha se ndalesa e parë e “gjuetisë së njerëzve” është Beogradi dhe tha se mbi projektin kanë punuar për më shumë se tre vjet.

Zupanic deklaroi se safarin e ka dëgjuar për herë të parë në vitin 2019 nga producenti Franci Zajc dhe tha se Zajc ka dëgjuar histori të ndryshme në vitin 1993 dhe 1994, njëra prej të cilave është “safari”.

Filmi është planifikuar të shfaqet në Slloveni dhe në Istanbul

Duke theksuar se kjo histori është e vështirë për t’u besuar, ai tha se Zajc kishte edhe dëshmitarë dhe se i ka takuar edhe këta dëshmitarë.

“Unë i besova atij, por nuk ishte e mjaftueshme për filmin. Nuk është e mundur të shkruhet historia me një dëshmitar”, tha Zupanic.

Zupanic tha se ata filluan të punojnë për të kërkuar më shumë dëshmitarë dhe tha: “Zajc ishte përgjegjës këtu. Ai e bënte kërkime sepse kishte kontakte në Bosnjë dhe Hercegovinë. Fillimisht gjeti një shkrimtar boshnjak dhe përmes tij takoi një burrë të quajtur Edin, i cili punonte si oficer i inteligjencës në ushtrinë e Bosnjë e Hercegovinës gjatë luftës”.

Duke u shprehur se kanë gjetur më shumë dëshmitarë, por disa persona nuk kanë dashur të flasin për shkak të frikës, Zupanic tha se filmi përbëhet nga deklaratat e dy dëshmitarëve dhe tre viktimave të snajperit.

Duke theksuar se premiera e filmit do të mbahet në Sarajevë, Zupanic tha se, “Jam shumë i lumtur sepse mendoj se kjo është një histori e Sarajevës para së gjithash dhe nuk do të ndihesha mirë nëse nuk do të fillonim nga këtu”.

Zhupanic tha se planifikojnë ta shfaqin filmin në Slloveni dhe në Istanbul.

Rrethimi i Sarajevës

Rrethimi i nisur nga ushtarët serbë më 5 prill 1992, zgjati deri më 14 dhjetor 1995, kur u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund luftës.

Gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili konsiderohet si rrethimi më i gjatë në historinë e luftës moderne, rreth 500.000 bomba ranë në qytet, 11.541 njerëz humbën jetën, më shumë se 80 për qind e ndërtesave u dëmtuan dhe infrastruktura ishte plotësisht e shkatërruar.