Sanchez: Kongresi i Spanjës mund ta njohë shtetin palestinez deri në vitin 2027

Pedro Sanchez

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të shtunën se do t’i propozojë dhomës së ulët të parlamentit të Spanjës njohjen e një shteti palestinez deri në vitin 2027, transmeton Anadolu.

“Ne do ta bëjmë këtë për shkak të bindjes morale, sepse është një kauzë e drejtë, por edhe sepse është mënyra e vetme që dy shtetet – Izraeli dhe Palestina – të jetojnë së bashku dhe të bashkëjetojnë në paqe dhe siguri”, tha ai në “X”.

Meqenëse mandati i Sanchezit do të përfundojë deri në vitin 2027, ai tha se do ta nxisë Kongresin e Deputetëve ta njohë shtetin palestinez përpara kësaj kohe.

Që nga fillimi i konfliktit aktual të Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar, Spanja ka spikatur në mesin e vendeve evropiane duke treguar mbështetjen më të fortë për Palestinën, ndërsa Sanchez nëntorin e kaluar tha se Madridi mund ta njohë në mënyrë të njëanshme një shtet palestinez edhe nëse BE-ja nuk pajtohet.