Samiti në Tiranë, nënshkruhet marrëveshja për roamingun BE-Ballkani Perëndimor

Pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti një e nga një liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor në nisje të Samitit që po mbahet sot në Tiranë, u nënshkrua edhe marrëveshja e parë në Pallatin e Kongreseve.

Ekspertët e vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor kanë firmosur marrëveshjen për “Roaming” që parashikon uljen e tarifave për rajonin.

Pas negociatash të gjata Komisioni Evropian dhe RCC drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu kanë arritur marrëveshjen me operatorët e telefonisë celulare në Evropë e Ballkan për uljen e tarifave roaming.

Nënshkrimi i Deklaratës së Roaming-ut do të garantojë ulje të ndjeshme të tarifave roaming që nga 1 tetori 2023. Tarifat afër niveleve të çmimeve kombëtare synohen të arrihen deri në vitin 2027.

Në këtë samit, janë të pranishëm 27 liderë evropianë, shoqëruar nga delegacionet përkatëse.