Samiti G20, vazhdojnë përleshjet mes protestuesve dhe policisë

Në Hamburg të Gjermanisë ka vazhduar përleshja mes protestuesve dhe policisë gjatë Samitit të Liderëve të G20-ës, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton policia e Hamburgut përmes rrjetit social Twitter, rreth 500 protestues në rajonin St. Pauli kanë gjuajtur me gurë në drejtim të policisë, teksa policia është kundërpërgjigjur me topa uji.

Nga ana tjetër, njoftohet se para ndërtesës “Rote Flora” në lagjen Schanzenviertel ka pasur prani të shumë protestuesve me fytyra të mbuluara dhe me shufra hekuri.

Sipas njoftimit të policisë, një polic ka shtënë në ajër për t’i paralajmëruar protestuesit pasi është sulmuar. Po ashtu theksohet se polici më pas është strehuar në një shitore dhe se është në vend të sigurtë.

Nga policia gjithashtu thonë se protestuesit kanë formuar barrikada në disa rrugë.

Në disa pjesë të qytetit vazhdojnë incidentet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve.

Në protestat që kanë vazhduar gjatë ditës në Hamburg, shumë automjeteve dhe barrikadave u është vënë zjarri. Siç njoftohet, në përleshjet mes policisë dhe protestuesve ka edhe të plagosur.