Ballina Lajmet Kosovë Sami Lushtaku padit Vetëvendosjen

Sami Lushtaku padit Vetëvendosjen

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka paditur Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje dhe dëmtim të reputacionit, ka njoftuar avokatja e Lushtakut, Besjana Ismajli.

Ajo tha të hënën se padia e klientit të saj vjen pas deklarimeve të partisë në pushtet se Lushtaku, njëherit zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka terminal doganor.

“Shpifja është bërë më datë 10.10.2024 në profilin e Facebookut të Lëvizjes Vetëvendosje, shpifja e bërë kundrejt klientit tim, Sami Lushtaku, e që sipas tani me të paditurës Lëvizjes Vetëvendosje pretendohet se klienti im Sami Lushtaku ka terminal doganor si dhe është përfitues i mijëra euro nga buxheti i Kosovës”, ka deklaruar Ismajli.

Ajo ka thënë para mediave se deklarimi i VV-së është i paqëndrueshëm, i pavërtetë dhe i paargumentuar, shkroi EO.

Ismajli ka thënë se për këtë padi kanë kërkuar edhe kompensim, veçse nuk e kanë caktuar ende shumën.

“Në mbështetje të nenit 14 të këtij ligji ne e kemi kërkuar edhe kompensimin e dëmit. Kompensimi i demit duhet të jetë në proporcion me dëmin e shkaktuar dhe duhet pasur për bazë edhe reputacionin e veçantë të Sami Lushtakut, me një respekt të lartë në Republikën e Kosovës, pra klienti im asnjëherë nuk ka pas terminal doganor siç pretendon e paditura Lëvizja Vetëvendosje. Atë e kanë bërë pronar pa pas bazë ligjore dhe pa asnjë provë konkrete por gjithnjë për përfitime politike e me qëllim degradimi figurën e Sami Lushtakut”, u shpreh ajo.

Exit mobile version