Gjykata Supreme ka marrë vendim për lirimin e Sami Lushtakut. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci.
Koci ka thënë se kërkesa e tij është aprovuar në tërësi.
“Është aprovuar ankesa ime dhe Sami Lushtaku është liruar nga të gjitha akuzat dhe masa e paraburgimit hiqet menjëherë”, ka thënë Koci.
Ish-komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, në maj të vitit 2015 ishte dënuar me 12 vjet burgim, gjë që u bë në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur “D”.
Mirëpo, në nëntor të vitit 2016 Gjykata e Apelit e shpalli atë të pafajshëm për veprën penale “Vrasja e një personi civil të burgosur shqiptar”, me ç’rast i heqi 12 vjet burg, me të cilat u dënua fillimisht nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë.
Por, Gjykata e Apelit, megjithatë, e dënoi Lushtakun me 7 vjet burgim për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese”, nga e cila akuzë ishte liruar më parë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.