Sami Frashëri i refuzon skemat radikale dhe utopike, duke propozuar një qasje realiste që mbështetet te përvoja historike dhe nevojat reale të popullit shqiptar. Ai thekson rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe reformave graduale që harmonizohen me aspiratat e kombit. Për Samiun, ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe funksionale nuk kërkon krijimin e një rendi të përsosur, por një sistem që pranon papërsosmërinë njerëzore dhe punon për të minimizuar ndikimin e saj negativ.
Mentor BEQA, Tiranë
Në vitin 2021, së bashku me një grup intelektualësh shqiptarë, vendosëm të krijojmë Institutin e Studimeve Politike “Sami Frashëri”, një think tank që synon të shërbejë si qendër promovimi për mendimin dhe politikat publike konservatore. Por, çfarë lloji konservatorizmi? A mund të flasim për një konservatorizëm shqiptar? Dhe, më tej, çfarë synon të “konservojë” një lëvizje konservatore shqiptare?
Diskursi konservator në Shqipëri është i kufizuar dhe shpesh i dominuar nga qasje universale ndaj konservatorizmit – një frymëzim që, në shumicën e rasteve, vjen ose nga konservatorizmi post neokonservator amerikan (pas-Trump) ose nga e djathta e re europiane. Megjithatë, këto lëvizje janë të lidhura ngushtësisht me kontekstet politike amerikane dhe europiane, duke pasur pak ose aspak lidhje organike me realitetin shqiptar. A ka kuptim një konservatorizëm shqiptar si imitacion i këtyre lëvizjeve, i shkëputur nga terreni dhe traditat specifike të shoqërisë sonë?
Ekziston një dallim i rëndësishëm midis parimeve themelore formale, që pasqyrojnë një qasje ontologjike dhe epistemologjike ndaj botës dhe politikave konkrete që varen nga konteksti, historia dhe traditat e një populli. Konservatorizmi, megjithëse i lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe kulturor të një shoqërie, mbështetet në një seri parimesh universale – ontologjike dhe epistemologjike – që e përcaktojnë atë pavarësisht ndryshimeve kohore ose hapësinore. Këto parime, si besimi në një rend moral të qëndrueshëm, respekti për zakonet dhe traditat, rëndësia e vazhdimësisë historike dhe skepticizmi ndaj ndryshimeve të papeshuara – duke përfshirë edhe skepticizmin ndaj aftësisë së arsyes njerëzore për të ndërtuar plane abstrakte që pretendojnë të zgjidhin të gjitha problemet e njeriut – përbëjnë thelbin e konservatorizmit si mënyrë mendimi. Në këtë kuptim, çdo konservatorizëm autentik, përfshirë edhe atë shqiptar, duhet të ndajë këto parime thelbësore, ndërsa përshtatet në mënyrë fleksibile me rrethanat dhe sfidat specifike të shoqërisë përkatëse.
Ne besuam se ekziston hapësirë dhe terren pjellor për një konservatorizëm autentik shqiptar, i cili jo vetëm pasqyron traditat dhe historinë tonë kombëtare, por edhe mishëron këto parime universale. Përgjigjja më e përshtatshme për këtë kërkesë gjendet te Sami Frashëri. Ai ofron një model të mendimit që buron nga traditat dhe vlerat kombëtare, por që njëkohësisht është i hapur ndaj progresit të matur dhe reformave të shëndosha. Konservatorizmi i Sami Frashërit nuk është një imitacion mekanik i modeleve të huaja, por një reflektim mbi historinë, zakonet dhe vlerat që i japin kuptim identitetit kombëtar, të përshtatura me sfidat dhe aspiratat e kohës. Sami Frashëri shërben si një burim frymëzimi për ata që synojnë ta ndërtojnë një mendim konservator të rrënjosur në historinë dhe kulturën shqiptare.
Për ta kuptuar dhe pozicionuar Sami Frashërin si mendimtarin e parë konservator shqiptar, është thelbësore të sqarojmë natyrën e konservatorizmit politik. Konservatorizmi nuk është një ideologji dogmatike, por një mënyrë të menduari dhe veprimi që buron nga respekti për përvojën historike, rendin shoqëror dhe traditën. Siç thekson Russell Kirk, ai nuk ka një “Shkrim të Shenjtë” ose një “Das Kapital” që i përcakton dogmat e tij; është një qasje elastike dhe pragmatike ndaj politikës, e rrënjosur në ndërgjegjen historike dhe tradicionale.
Në këtë kuptim, Sami Frashëri mund të shihet si një konservator që mishëron ndjeshmërinë dhe qasjen tradicionale të konservatorizmit, pa u kufizuar nga një sistem ideologjik i ngurtë. Vepra e tij, veçanërisht “Shqipëria: Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, përfaqëson një manifest që bazohet në realitetin historik dhe nevojat konkrete të kombit shqiptar. Ai shmang abstraksionet filozofike dhe utopitë ideologjike, duke u fokusuar në ruajtjen e traditave dhe vlerave kombëtare për të dhënë zgjidhje praktike për sfidat e kohës. Përmes këtij pozicionimi, Frashëri kontribuon në formësimin e një vizioni politik të qëndrueshëm dhe autentik shqiptar, i cili mbështetet në trashëgiminë historike dhe kulturore të kombit tonë.
Për ta zhvilluar këtë analizë, është e nevojshme të eksplorojmë se si mendimi i Sami Frashërit pasqyron parimet thelbësore të konservatorizmit politik. Kjo do të na lejojë t’i identifikojmë elementet konservatore në veprën e tij dhe ta kuptojmë kontributin e tyre në formësimin e një vizioni politik të qëndrueshëm dhe autentik shqiptar. Në vijim, do t’i analizojmë dhjetë parimet e konservatorizmit sipas Russell Kirk-ut dhe se si ato manifestohen në mendimin e Sami Frashërit.
Rendi Moral Universal
Russell Kirk, në një ese përmbledhëse për konservatorizmin, thotë se parimi i parë i konservatorizmit është besimi në ekzistencën e një rendi moral të qëndrueshëm dhe universal. Ky rend është i pandryshueshëm dhe udhëzon veprimet individuale dhe kolektive, duke krijuar harmoni të brendshme në shpirt dhe rend të jashtëm në shoqëri. Sami Frashëri, në të gjithë korpusin e punës së tij, përfshi këtu edhe veprën “Shqipëria: Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, e reflekton këtë parim, duke theksuar rëndësinë e vyrtyteve njerëzore, drejtësisë, nderit dhe dinjitetit si themele të rendit moral. Ai e lidh drejtësinë me një parim transhendent dhe universal, duke argumentuar se ajo është e rrënjosur në ligjin hyjnor dhe ndërgjegjen njerëzore. Sami Frashëri thekson se individët duhet të udhëhiqen nga virtyti dhe forca morale për ta ruajtur rendin dhe harmoninë shoqërore. Ai beson se morali i individit është i domosdoshëm jo vetëm për vetë personin, por edhe për shoqërinë dhe kombin. Për Samiun, rendi moral është gjithashtu një udhërrëfyes për veprimet kolektive dhe përparimin kombëtar. Ai e inkurajon angazhimin për të mirën e përbashkët dhe mbrojtjen e drejtësisë si një detyrë e shenjtë. Kështu, ai mishëron ndjeshmërinë konservatore, duke himnizuar vlerat akohore morale – të mirën, drejtësinë, nderin, dinjitetin – si të përhershme, të ngulitura në transhendencën hyjnore dhe si thelbësore për një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme. Në fjalët e Sami Frashërit: “Dy gjëra janë të domosdoshme në këtë jetë: e drejta dhe fuqia. E drejta pa fuqi, ashtu si edhe fuqia pa të drejtë, janë si një krah i vetëm; asnjë zog nuk mund të fluturojë vetëm me një krah. Rrallëherë fuqia pa të drejtë sjell mirësi; dhe po ashtu, e drejta pa fuqi dëgjohet shumë rrallë”.*
Zakoni, Konvencioni dhe Vazhdimësia
Parimi i dytë konservator thekson rëndësinë e zakoneve, konvencioneve dhe vazhdimësisë si shtylla thelbësore të harmonisë dhe stabilitetit shoqëror. Për konservatorët, janë pikërisht zakonet e lashta që mundësojnë bashkëjetesën paqësore midis njerëzve, ndërsa konvencionet shmangin konfliktet e vazhdueshme mbi të drejtat dhe detyrat. Vazhdimësia krijon lidhjen shpirtërore dhe historike midis brezave, duke u bërë esenciale për ekzistencën dhe kuptimin e shoqërisë. Revolucionet që i përmbysin këto shtylla, duke përqeshur zakonet dhe këputur vazhdimësinë, shpesh çojnë në nevojën për krijimin e traditave të reja – një proces i dhimbshëm dhe i ngadaltë, që mund të rezultojë në një rend shoqëror inferior ndaj atij të mëparshëm. Në këtë kontekst, Sami Frashëri himnizon aftësinë e kombit shqiptar për t’u mbijetuar sfidave të mëdha që nga kohërat e hershme, për të ruajtur zakonet dhe traditat, për të mbajtur mevetësinë, autonominë dhe veçantinë dhe, mbi të gjitha, për ta ruajtur institucionin themelor dallues: gjuhën shqipe. Qasja e Sami Frashërit ndaj kombësisë është unike, sidomos kur krahasohet me qasjet dominuese të shekullit të 19-të, të cilat ishin kryesisht raciale dhe etnike. Ndërsa ai vlerëson gjakun dhe tokën si elementë të rëndësishëm, Samiu i kushton rëndësi të veçantë edhe faktorit subjektiv të vetidentifikimit si shqiptar, duke paraprirë qasje bashkëkohore të zhvilluara nga modernistët. Ai argumenton se kombësia nuk është vetëm çështje prejardhjeje biologjike, por edhe çështje e mendjes dhe zemrës: “Shqiptar është çdo njeri i lindur nga prindër shqiptarë dhe që flet shqip, por shqiptar i vërtetë është ai që ka mendjen dhe zemrën shqiptare.”
Ai thekson se Shqipëria gjithmonë është qeverisur nga shqiptarët dhe sipas zakoneve të saj, duke ruajtur një formë të pavarur të qeverisjes: “Sidomos në Shqipëri, ku nuk vinte kurrë një i huaj. Të gjithë ata që qeverisnin Shqipërinë, nga më të vegjlit deri te më të mëdhenjtë, ishin gjithmonë shqiptarë. Mund të themi se Shqipëria qeverisej në mënyrë të pavarur nga shqiptarët dhe sipas zakoneve të saj.” (Frashëri, 2018, f. 23)
Për Samiun, gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar. Ai beson se gjuha është shenjtëria e kombit dhe se ruajtja e saj është thelbësore për mbijetesën dhe vazhdimësinë e kombit: “Me gjithë këto të dhëna dhe dëshmi, është e qartë se shqipja është një gjuhë e vjetër, e mbetur nga kohërat e lashta, e ruajtur e pandryshuar. Shenjtëria e kombit është gjuha; çdo komb qëndron mbi gjuhën e vet. Ata që harrojnë ose braktisin gjuhën e tyre, bëhen pjesë e atij kombi që flasin dhe dalin nga kombësia e tyre.” (Frashëri, 2018, f. 25)
Sami Frashëri mishëron qartazi parimin konservator të rëndësisë së zakoneve, konvencioneve dhe vazhdimësisë, duke theksuar se këto elemente janë themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja e kombit shqiptar.
Parimi i Precedentit
Parimi i tretë konservator thekson “parimin e precedentit” – besimin se përvoja historike dhe zakonet e trashëguara nga paraardhësit përbëjnë një urtësi kolektive që tejkalon çdo gjykim individual ose racionalitet privat. Sipas konservatorëve, shoqëria e sotme qëndron mbi supet e gjigantëve, duke parë më larg falë madhështisë së traditës së akumuluar ndër shekuj. E drejta, morali dhe politikat duhet të mbështeten te precedentët dhe urtësia e së kaluarës, pasi ato përfaqësojnë një njohuri kolektive shumë më të pasur dhe të qëndrueshme sesa përpjekjet individuale për “zbulime” të reja.
Kjo qasje është e dukshme në mendimin e Sami Frashërit dhe lidhet ngushtë me vizionin e tij për identitetin dhe organizimin e kombit shqiptar. Për Samiun, traditat dhe normat e krijuara nga përvoja historike janë shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet jo vetëm qeverisja, por edhe morali dhe e drejta kombëtare. Ai thekson rëndësinë e urtësisë së trashëguar nga brezat e mëparshëm, duke sugjeruar se kjo urtësi kolektive është më e madhe se çdo përpjekje individuale për të shpikur risi.
Samiu nënvizon se shqiptarët kanë preferuar gjithmonë këshillën dhe vendimmarrjen kolektive, duke u mbështetur te urtësia e të parëve. Ai shkruan: “As në qeverisje, as në çështjet e besimit, nuk dëshironin një individ që të vendoste gjithçka vetë; ata preferonin këshillën dhe vendimmarrjen përmes kuvendit të të shumtëve.” (Frashëri, 2018, f. 8)
Dhe më tej shton: “Secili qeverisej nga këshillat e parisë dhe të pleqve të tyre. Këto këshilla njiheshin si pllakonia dhe pleqësia.” (Frashëri, 2018, f. 11)
Për Samiun, ruajtja e zakoneve dhe traditave është thelbësore për identitetin kombëtar dhe stabilitetin shoqëror. Ai beson se shqiptarët kanë qeverisur veten sipas zakoneve të tyre të lashta dhe se kjo formë organizimi duhet të vazhdojë. Ai e thekson këtë ide duke shkruar: “Përse, pra, ta braktisim këtë zakon të bukur, të mbajtur për mijëra vjet… Ne nuk duhet kurrë të heqim dorë nga Plakoni e Straboni, nga pleqësia, të cilën e kemi ruajtur deri më sot, sepse gjithmonë pleqësia ka udhëhequr në Shqipëri. Pleqësia duhet të udhëheqë dhe të mbretërojë përherë.” (Frashëri, 2018, f. 88)
Ky reflektim tregon besimin se ruajtja e institucioneve tradicionale si “pleqësia” është thelbësore për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë shqiptare. Këto forma të organizimit shoqëror, të bazuara në përvojën dhe urtësinë e brezave të kaluar, përbëjnë themelin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme. Sami Frashëri është skeptik ndaj përpjekjeve për të shpërfillur normat dhe zakonet tradicionale për të krijuar monarki të stilit perëndimor. Për të, institucionet tradicionale politike shqiptare janë pjesë e një tradite të gjatë që duhet të ruhet dhe të përshtatet me kohën.
Parimi i Maturisë
Parimi i katërt konservator thekson rëndësinë e maturisë si një virtyt kryesor në vendimmarrjen publike dhe politike. Për konservatorët, maturia kërkon që çdo masë ose reformë të analizohet me kujdes, duke marrë parasysh pasojat afatgjata dhe jo vetëm përfitimet e menjëhershme ose popullaritetin e momentit. Reformat e papeshuara dhe të nxituara mund të shkaktojnë probleme më të mëdha sesa ato që synojnë të zgjidhin, duke dëmtuar themelet e shoqërisë.
Kjo qasje është e dukshme në mendimin e Sami Frashërit, i cili përkrah një ndryshim të matur dhe gradual në ndërtimin e kombit shqiptar. Edhe pse ai është i vetëdijshëm për rreziqet që i kanosen Shqipërisë nga fqinjët – si serbët dhe grekët – dhe e sheh Perandorinë Osmane si një entitet të rrënuar që nuk mund t’i mbrojë më shqiptarët, ai promovon një qasje të kujdesshme ndaj ndryshimit politik. Samiu e konsideron krijimin e një shteti shqiptar si një domosdoshmëri jetike, por beson se kjo qeveri duhet të mbetet, për momentin, nën ombrellën e Perandorisë Osmane për të shmangur pasoja të paparashikueshme.
Ai e përshkruan Perandorinë Osmane si një “njeri të vdekur” që duhet varrosur, duke theksuar se vazhdimi i lidhjes me të është i pakuptimtë dhe i dëmshëm: “Ky është një njeri i vdekur; sado ta duam të vdekurin, duhet ta varrosim. Të dëshirosh të mos ndahesh prej tij është si të dëshirosh të hysh në varr bashkë me të.” (Frashëri, 2018, f. 71)
Megjithatë, Samiu tregon vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme, duke argumentuar se ndryshimi duhet të jetë gradual dhe i matur. Ai beson se veprimet e nxituara mund të çojnë në destabilizim dhe konflikte të reja. Ai thekson se qëllimi kryesor i shqiptarëve duhet të jetë ruajtja e integritetit të vendit dhe identitetit kombëtar, duke u mbrojtur nga ndikimet dhe ndërhyrjet e huaja: “Qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë, të mos lejojnë që ajo të copëtohet nga të huajt, të mbajnë gjuhën e tyre, t’u bëjnë ballë intrigave të tyre dhe të ndalojnë përhapjen e ndikimeve të huaja.” (Frashëri, 2018, f. 81)
Ai argumenton se krijimi i një qeverie kombëtare është i domosdoshëm për mbijetesën dhe përparimin e kombit shqiptar: “Kjo qeveri, që përmendëm, është e domosdoshme për shqiptarët, njësoj si buka që hanë dhe uji që pinë. Pa një qeveri të tillë, shqiptarët nuk mund të ringjallin dhe të përhapin gjuhën e tyre dhe as të ruajnë kombësinë.” (Frashëri, 2018, f. 83)
Megjithatë, ai sugjeron që kjo qeveri, për momentin, të mbetet nën Perandorinë Osmane, duke treguar kujdes ndaj ndryshimeve të menjëhershme që mund të kenë pasoja të paparashikueshme: “Kjo qeveri, për momentin, do të jetë nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët, të cilët për pesëqind vjet kanë derdhur gjak për këtë mbretëri, nuk do të dëshironin kurrë rënien e saj, edhe pse e shohin se ajo përpiqet t’i shkatërrojë dhe t’i ndajë mes armiqve të saj dhe të shqiptarëve.” (Frashëri, 2018, f. 83)
Kur flet për mënyrën e re të organizimit politik të Shqipërisë, Samiu kërkon të shmangen eksperimentet dhe të zgjidhen në pozicionet drejtuese njerëz të pjekur dhe të matur, me një rekord të demonstruar në gjykim të shëndoshë. Ai beson se udhëheqësit duhet të jenë individë me përvojë dhe integritet, të cilët mund të udhëheqin vendin drejt një të ardhmeje të begatë.
Parimi i Diversitetit
Parimi i pestë konservator thekson rëndësinë e diversitetit si një element jetësor për shëndetin dhe vitalitetin e çdo civilizimi. Për konservatorët, diversiteti i institucioneve shoqërore, mënyrave të jetesës dhe besimeve është një shprehje e pasurisë së një kombi, duke e dalluar atë nga uniformiteti i ngushtë dhe barazia e detyruar e sistemeve radikale. Sami Frashëri, në vizionin e tij për Shqipërinë, e mishëron këtë parim duke e theksuar idenë e “unitetit në diversitet”, ku identiteti kombëtar shqiptar – shqiptaria – shërben si forca unifikuese, pavarësisht dallimeve krahinore dhe fetare.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij vizioni është përqendrimi në diversitetin fetar, të cilin Samiu e konsideron si një pasuri dhe jo një pengesë për bashkimin kombëtar. Ai vëren se shqiptarët, megjithëse të ndarë në besime të ndryshme fetare, gjithmonë e kanë dalluar përkatësinë fetare nga ajo etnike
“Por këto ndarje fetare nuk kanë sjellë asnjë përçarje midis shqiptarëve. Konfliktet fetare, të cilat në shumë vende të Lindjes, por edhe në Europë, kanë çuar në ngjarje të përgjakshme dhe tragjike, nuk janë shfaqur kurrë në Shqipëri. Asnjëherë nuk ka pasur përplasje midis myslimanëve dhe të krishterëve, midis katolikëve dhe ortodoksëve, apo midis synive dhe bektashinjve. Shqiptari është shqiptar përpara se të jetë mysliman apo i krishterë. Ai mbetet i njëjtë në identitetin e tij kombëtar, qoftë kur kishte fenë e pellazgëve, qoftë kur u bë i krishterë apo kur mori fenë islame.” (Frashëri, 2018, f. 35)
Samiu thekson se shqiptaria është identiteti përbashkues që tejkalon dallimet fetare dhe krahinore. Ai nënvizon se ndarjet gjuhësore midis gegëve dhe toskëve janë të vogla dhe të tejkalueshme: “Të gjithë banorët autoktonë të Shqipërisë janë shqiptarë, të ndarë në gegë dhe toskë. Shkumbini ndan Gegërinë nga Toskëria, megjithatë edhe në jug të këtij lumi ka pak gegë dhe në disa vende flitet gegërisht. Midis gegëve dhe toskëve nuk ka ndarje të thellë; të gjithë janë një komb dhe flasin një gjuhë, me ndryshime të vogla, të cilat do të zhduken me përpjekjet për standardizimin e gjuhës.” (Frashëri, 2018, f. 35)
Për Samiun, ky unitet në diversitet është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një komb i fortë dhe i bashkuar. Ai beson se respektimi dhe përqafimi i dallimeve kulturore, fetare dhe krahinore pasuron shoqërinë shqiptare dhe forcon identitetin kombëtar. Në vizionin e tij, diversiteti nuk është një kërcënim për unitetin, por një burim force dhe vitaliteti.
Parimi i Papërsosmërisë
Parimi i gjashtë konservator, i njohur si parimi i papërsosmërisë, mbështetet te bindja se natyra njerëzore mbart gabime dhe kufizime të pakthyeshme, duke e bërë të pamundur ndërtimin e një rendi të përsosur shoqëror. Për konservatorët, çdo përpjekje për të krijuar një utopi është e destinuar të përfundojë në katastrofë, pasi njerëzimi nuk është i krijuar për një botë të përsosur. Ajo që mund të arrihet është një shoqëri e drejtë dhe e lirë, me disa të meta të pashmangshme, por që mund të përmirësohet përmes reformave të menduara mirë dhe të kujdesshme.
Pavarësisht përpjekjeve për ta pozicionuar mendimin e Sami Frashërit si utopik – në kuptimin e krijimit të një vendi që nuk ekziston në të tashmen apo diku tjetër – vepra e tij është thellësisht e rrënjosur në një qasje praktike. Ai synon t’i bindë bashkatdhetarët dhe skeptikët për qëndrueshmërinë e një shteti të ardhshëm shqiptar, duke u bazuar në të dhëna konkrete ekzistuese. Regjimi politik që ai përfytyron është një kombinim i traditave dhe zakoneve politike-juridike të shqiptarëve me forma organizimi të njohura për kohën, si ato të Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mendimi i Samiut, përgjatë gjithë krijimtarisë së tij, thekson papërsosmërinë e qenies njerëzore – një koncept i ngulitur edhe në formimin e tij fetar – dhe të institucioneve sociale dhe politike. “Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë“. Ai pranon se njerëzit dhe institucionet e tyre kanë të meta, prandaj organizimi social dhe politik që ai propozon merr parasysh këto kufizime dhe përpiqet t’i vendosë ato nën kontroll, nëpërmjet një sistemi që i reziston këtyre të metave. “Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.”
Sami Frashëri i refuzon skemat radikale dhe utopike, duke propozuar një qasje realiste që mbështetet te përvoja historike dhe nevojat reale të popullit shqiptar. Ai thekson rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe reformave graduale që harmonizohen me aspiratat e kombit. Për Samiun, ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe funksionale nuk kërkon krijimin e një rendi të përsosur, por një sistem që pranon papërsosmërinë njerëzore dhe punon për të minimizuar ndikimin e saj negativ.
Lidhja ndërmjet Pronës dhe Lirisë
Parimi i shtatë konservator argumenton se prona private dhe liria janë thelbësisht të ndërlidhura, duke e cilësuar pronësinë private si një shtyllë të civilizimeve të qëndrueshme dhe të lira. Edhe pse Sami Frashëri nuk adreson drejtpërdrejt konceptin e pronës private në veprën e tij, mendimi i tij thekson rëndësinë e një rendi ekonomik të drejtë dhe të qëndrueshëm si parakusht për zhvillimin e shoqërisë dhe të kombit.
Pavarësisht se nuk ishte një shqetësim kryesor i kohës – duke qenë se vepra e tij është më shumë një manifest për të ardhmen e Shqipërisë sesa një polemikë me ideologjitë socialiste – Samiu e merr të mirëqenë ekzistencën e pronës private. Ai i kushton rëndësi të madhe idesë se shteti shqiptar nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse nuk ka kontroll mbi territorin në aspektin e zhvillimit ekonomik. Ai thekson nevojën për fuqizimin e bizneseve dhe uljen e ngarkesës me taksa mbi zejtaret dhe fshatarët, duke synuar një shoqëri ku individët mund të përfitojnë nga puna dhe përpjekjet e tyre.
Raporti midis pronës dhe lirisë nënkuptohet edhe në parimin që Samiu promovon se e drejta për t’u zgjedhur u jepet atyre që zotërojnë pronë dhe mund të paguajnë një sasi të caktuar taksash për qeverinë. Kjo pasqyron qartë parimin tradicional të lidhjes së pronës me lirinë, ku pronësia private konsiderohet si bazë për pjesëmarrjen aktive në jetën politike dhe shoqërore.
Megjithëse Samiu nuk e përmend drejtpërdrejt pronën private si një të drejtë të patjetërsueshme, ai e përqafon idenë e krijimit të një shoqërie të drejtë ku individët kanë mundësinë të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga puna e tyre. Për të, zhvillimi ekonomik dhe drejtësia janë të pandashme nga ideali i lirisë kombëtare dhe prosperitetit shoqëror.
Përveç kësaj, Sami Frashëri i kushton një rëndësi të veçantë lidhjes midis lirisë dhe edukimit, duke i konsideruar ato si të ndërlidhura dhe të varura nga njëra-tjetra. Ai beson se një popull i arsimuar është thelbësor për ruajtjen e lirisë dhe zhvillimin e kombit. Edukimi u mundëson individëve t’i kuptojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të drejtë dhe më të lirë.
Parimi i Komuniteteve Vullnetare dhe Subsidiaritetit
Parimi i tetë konservator vlerëson qeverisjen e bazuar në komunitete vullnetare dhe vendimmarrjen lokale, duke kundërshtuar çdo formë të centralizimit të tepruar dhe kolektivizmit të imponuar. Për konservatorët, një komb është aq i fortë sa bashkësitë e tij lokale, ku secila e ruan autonominë dhe përgjegjësitë e veta në një sistem të ndërlidhur.
Mendimi i Sami Frashërit është në përputhje të plotë me këtë parim konservator. E gjithë skema e organizimit politik që ai e propozon, e glorifikon pikërisht këtë model me një qeveri qendrore të vogël dhe një organizim të bazuar në parimin e subsidiaritetit, ku problemet zgjidhen në nivel komuniteti, nga vetë komuniteti.
Samiu përshkruan një strukturë politike ku pushteti i vërtetë qëndron në duart e bashkësive lokale, të cilat ai i quan “komuna” ose “bashki”. Ai thekson rëndësinë e autonomisë së këtyre njësive dhe fuqizimin e banorëve për të marrë vendime për çështjet e tyre lokale. Ai shkruan: “Më i lumturi ndër vendet e botës është ai ku ndjehet shumë pak ndikimi i drejtpërdrejtë i qeverisë. Sa më shumë të jetë e mundur, qeveria duhet të ndërhyjë sa më pak në çështjet e përditshme të banorëve. Për këtë, komunat (bashkitë) duhet të jenë të organizuara mirë, dhe banorët të njohin vetëm autoritetin e komunave, ndërsa kjo e fundit të ketë lidhje të rregullt dhe të qartë me qeverinë”. (Frashëri, 2018, f. 112)
Në këtë sistem, të gjitha punët e vendit shqyrtohen dhe zgjidhen nga bashkia, duke garantuar se banorët nuk do të njohin tjetër autoritet përveç atij që kanë zgjedhur vetë. Samiu thekson: “Kështu, të gjitha punët e vendit do të shqyrtohen nga bashkia, dhe banorët nuk do të njohin tjetër autoritet përveç bashkisë së tyre, e cila është e zgjedhur prej tyre vetë. Qeveria nuk do të përfshihet, përveçse në çështje të mëdha dhe të përgjithshme, në ato raste kur bashkia nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë dhe i referohet administratës qendrore”. (Frashëri, 2018, f. 112)
Ky model i decentralizuar i qeverisjes pasqyron një ndërthurje mes organizimit tradicional shoqëror shqiptar dhe mësimeve të marra nga modelet demokratike të Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara. Për Samiun, kjo ndarje e pushtetit nuk është vetëm praktike, por edhe një mënyrë për të ruajtur dinjitetin dhe autonominë e individëve brenda komunitetit.
Ai beson se fuqizimi i komuniteteve lokale është thelbësor për të siguruar një qeverisje të drejtë dhe efektive, duke shmangur centralizimin e tepruar që mund të çojë në kufizimin e lirisë dhe degradimin e funksionimit të komuniteteve. Në vizionin e Sami Frashërit, qeveria qendrore ka një rol të kufizuar, duke ndërhyrë vetëm në çështje madhore dhe të përgjithshme që tejkalojnë kompetencat e bashkive lokale.
Për Samiun, kjo qasje jo vetëm që fuqizon komunitetet lokale, por gjithashtu krijon një balancë të qëndrueshme midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Ai argumenton se një shtet i fortë dhe i drejtë ndërtohet mbi bazat e fuqishme të bashkësive lokale, të cilat e ruajnë autonominë dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të lirë dhe të qëndrueshme.
Parimi i Kufizimit të Pushtetit
Parimi i nëntë konservator thekson domosdoshmërinë e kufizimit të pushtetit dhe pasioneve njerëzore për të parandaluar anarkinë ose tiraninë. Sami Frashëri paraqet një vizion politik që mishëron këtë parim përmes një sistemi të balancuar dhe të decentralizuar të qeverisjes, duke vendosur kontrolle dhe balanca të kujdesshme mbi pushtetin.
Samiu propozon një organizim politik të ndërtuar mbi ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, ku asnjë individ apo institucion nuk mund ta përqendrojë fuqinë në duart e veta. Ai inspiron nga modelet demokratike të kohës, si ai amerikan, duke integruar konceptin e rifreskimit të pjesshëm të institucioneve përfaqësuese çdo dy vjet. Kjo qasje siguron që pushteti të jetë i ndarë në mënyrë të drejtë dhe të kontrollohet nga mekanizma institucionalë që parandalojnë abuzimin.
Në sistemin e tij, Samiu propozon ndarjen e Shqipërisë në 15 njësi administrative (gastra), secila me nivelin e vet të qeverisjes lokale. Nën frymëzimin e Washington DC, ai sugjeron krijimin e një kryeqyteti të ri, të quajtur Skënderbegas, i cili do të jetë qendra e administratës qendrore dhe simbol i unitetit kombëtar: “Kryeqendra e Shqipërisë, pra kryeqyteti i përgjithshëm, duhet të jetë një nga qytetet e vendosura në qendër të Shqipërisë, ku flitet gjuha shqipe. Por, do të ishte më mirë që të ndërtohej një qytet i ri në një vend të shëndetshëm dhe të bukur… Ky qytet, të cilin mund ta quajmë Skënderbegas, do të ndërtohet sipas një mënyre shumë të bukur, me rrugë të gjera dhe të drejta, me shtëpi të mira, me sheshe dhe me gjithçka që i nevojitet… Ky qytet, me disa zona përreth, do të qeveriset si një njësi administrative e veçantë.” (Frashëri, 2018, f. 89)
Kufizimi i pushtetit reflektohet në strukturën e qeverisjes që ai propozon. Këshilli i Pleqësisë, i përbërë nga 15 anëtarë të zgjedhur nga secila provincë, shërben si organi kryesor drejtues. Ky këshill zgjedh një kryetar dhe një nënkryetar, duke siguruar një ndarje kolegjiale të pushtetit. Samiu thekson rëndësinë e rotacionit të drejtuesve dhe kufizimin e mandateve: “Pleqtë do të zgjidhen për një mandat katërvjeçar, ashtu si edhe kreu i tyre, por nuk do të ndërrohen të gjithë përnjëherë; gjysma do të zgjidhet një herë dhe gjysma tjetër pas dy vjetësh… Kështu, çdo dy vjet do të ndërrohet gjysma e pleqve. Kreu do të ndërrohet bashkë me njërën gjysmë, ndërsa nënkryetari me gjysmën tjetër…” (Frashëri, 2018, fq. 91–92)
Ky model i rifreskimit të pjesshëm të institucioneve përfaqësuese siguron vazhdimësinë dhe përvojën brenda qeverisjes, ndërkohë që parandalon përqendrimin e pushtetit dhe promovon përgjegjshmërinë e zyrtarëve ndaj popullit.
Kontrolli dhe balanca janë të integruara në sistemin e tij përmes ndarjes së qartë të përgjegjësive midis organeve të ndryshme. Këshilli i Pleqësisë funksionon si një trup kolegjial që vendos në mënyrë të përbashkët, duke shmangur vendimmarrjen individuale që mund të çojë në abuzim të pushtetit: “Ai [kryetari] nuk do të veprojë i vetëm, sepse një njeri mund të gabojë, por pesëmbëdhjetë njerëz të pjekur dhe me përvojë nuk mund të gabojnë të gjithë.” (Frashëri, 2018, f. 92)
Për më tepër, Samiu parashikon një ndarje të pushteteve ku qeveria qendrore ndërhyn vetëm në çështje madhore, ndërsa komunitetet lokale kanë autonomi në administrimin e punëve të tyre. Ai shkruan: “Qeveria nuk do të përfshihet, përveçse në çështje të mëdha dhe të përgjithshme, në ato raste kur bashkia nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë dhe i referohet administratës qendrore.” (Frashëri, 2018, f. 112)
Kufizimi i mandateve, ndarja e pushteteve dhe pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve në qeverisje janë elemente kyçe në vizionin e Sami Frashërit. Ai beson se vetëm nëpërmjet një sistemi të tillë mund të shmanget tirania dhe të sigurohet liria dhe drejtësia për popullin.
Ndryshimi si Mjet për Ruajtjen
Edmund Burke, një nga mendimtarët më të shquar konservatorë, formuloi parimin themelor se ndryshimi është i domosdoshëm për ta ruajtur atë që është thelbësore në shoqëri. Ai shkroi: “Ne të gjithë duhet t’i bindemi ligjit të madh të ndryshimit. Është ligji më i fuqishëm i natyrës dhe ndoshta mjeti i ruajtjes së saj.” Ky parim thekson se ndryshimi nuk është një kërcënim për traditën apo rendin e qëndrueshëm, por një proces i pashmangshëm dhe i nevojshëm që, kur udhëhiqet nga maturia dhe respekti për të kaluarën, shërben për të forcuar dhe ruajtur vlerat dhe institucionet thelbësore të një shoqërie.
Në mënyrë të ngjashme, Sami Frashëri zhvillon një argument të fuqishëm mbi nevojën për ndryshim si një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbijetesën politike të shqiptarëve. Për Samiun, ndryshimi është mjeti për të ruajtur dhe forcuar institucionet tradicionale, jo për t’i hedhur tutje.
Samiu e kupton qartë se ndryshimi ishte i pashmangshëm përballë rënies së Perandorisë Osmane dhe rreziqeve që i kanoseshin kombit shqiptar. Ai beson se e vetmja mënyrë për shqiptarët që të mbijetonin si komb ishte krijimi i një shteti kombëtar modern, i cili i respektonte dhe ruante vlerat dhe traditat historike. Kjo qasje është në përputhje të plotë me parimin e Burke, sipas të cilit reforma është e nevojshme për të ruajtur.
Ai thekson se ndryshimi i matur dhe i menduar mirë është thelbësor për ta shmangur shkatërrimin dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme. Samiu nuk kërkon t’i shkatërrojë institucionet tradicionale, por t’i forcojë ato duke i përshtatur me kohën dhe nevojat e reja. Ai shkruan: “Të mos rrimë të mpirë dhe të ngrirë, por të lëvizim duart dhe këmbët, të tundemi, të lëkundemi dhe të ecim lirshëm në udhët e Zotit, në udhët e së drejtës: ZOTI, E DREJTA, KOMBI, GJUHA! SHQIPËRIA, SHQIPTARËRIA!”
Kjo thirrje pasqyron dëshirën për veprim dhe ndryshim jo si një qëllim në vetvete, por si një mjet për të ruajtur vlerat themelore: besimin në Zot, drejtësinë, kombin dhe gjuhën. Samiu e sheh ndryshimin si një nevojë urgjente për të mbrojtur dhe forcuar identitetin kombëtar dhe për të ndërtuar një shtet të bazuar në traditat dhe vlerat shqiptare.
Në Vend të Epilogut
Është e domosdoshme për shqiptarët, veçanërisht në kohë shpërqendrimi dhe humbje të orientimit, të rikujtojnë porositë e Sami Frashërit. Siç na kujton historiani i lashtë grek Tuqididi: “Të fortët bëjnë çfarë munden dhe të dobëtit vuajnë çfarë duhet.”
Në mënyrë të ngjashme, Sami Frashëri na paralajmëron: “Në marrëdhëniet ndërmjet kombeve nuk ka miqësi, ashtu siç nuk ka në lojëra (sporte); secili synon të përfitojë për vete dhe të shfrytëzojë tjetrin. Kombet janë si peshqit, që hanë njëri-tjetrin. Mjerë kush është i dobët!” (Frashëri, 2018, f. 55)
Këto fjalë, të shkruara më shumë se një shekull më parë, mbeten aktuale dhe të rëndësishme sot. Ato na kujtojnë se në arenën ndërkombëtare kombet veprojnë sipas interesave të tyre dhe vetëm një komb i fortë mund të sigurojë mbijetesën dhe prosperitetin e vet. Prandaj, është detyra jonë si shqiptarë të punojmë për forcimin e vendit tonë, duke ruajtur identitetin kombëtar, traditat dhe vlerat tona.
* Të gjitha citimet janë përshtatur në shqipen e sotme standarde për të lehtësuar kuptimin.