- Ne gjithë jetojmë në këtë botë, por të paktë janë ata që lënë gjurmë… lënë gjurmë si eruditë. Samiu (Frashëri), pa dyshim, është në majën e piedestalit tonë kombëtar… dhe jo vetëm.
- Sot, 120 vjet pas vdekjes së tij, vepra e tij është burim frymëzimi për çdo brez. Ai është një mendimtar e filozof, është një baba i kombit, është një gjuhëtar, është një intelektual… është një thesar.
- Revista “Shenja” këtë vit ka dashur ta përmbyllë duke ia kushtuar këtë numër kësaj figure të ndritur sa s’ka më. Përmes këtij kontributi, jemi përpjekur që dritën e dijes së tij ta bartim te lexuesit tanë, tek ata që ende e duan dijen dhe frymëzimin shpirtëror, për të ngelur kështu në analet e historisë se edhe ne kemi hisen tonë në bartjen e mesazhit emblematik të Samiut, këtij rilindësi të dalluar.
- Kur lindi ideja e këtij numri, autorëve ua nisëm këtë letër: “Me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit, revista ‘Shenja’ ka vendosur që këtë vit ta mbyllë duke ia kushtuar një numër pikërisht këtij rilindësi të madh. Arsyeja që gjykojmë se ai e meriton t’i kushtohet një numër i veçantë, është figura e tij poliedrike dhe merita e tij në ndërtimin e kombit shqiptar. Ai është iluminist, shkrimtar, publicist, leksikograf dhe autor i manifestit të nacionalizmit shqiptar. Megjithatë, po me këto kritere trajtohet edhe nga kultura turke. Duke e shënuar këtë jubile, presim nga ju të na e sillni një shkrim/analizë/prezantim të Sami Frashërit si autor i Alfabetit të Stambollit dhe drejtues i Shoqërisë së Shtypuri Shkronja Shqip, si autor i disa veprave letrare, si autor i disa veprave leksikografike (osmanisht), si themelues i disa gazetave e revistave në gjuhën osmane, si autor i teksteve për shkollat shqipe dhe veçmas si autor i veprës manifest ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?’, që është skica më konkrete e projektimit të kombit shqiptar. Në revistë mund të gjejnë vend edhe shkrimet që kanë të bëjnë me rolin e Sami Frashërit në kulturën turke dhe në ndërtimin e kombit turk.”
- Dhe, të gjitha këto “kërkesa” janë trajtuar në mënyrën më sublime nga 27 penat që kanë dhënë kontributin e tyre intelektual. Secili në mënyrën e vet ka dhënë përshkrimin se si e sheh këtë personalitet të shquar. E dimë se populli ynë ka shumë intelektualë, që gjithsesi nuk kemi arritur t’i përfshijmë, ndaj edhe shprehim keqardhje, por edhe leximi i këtyre autorëve besojmë se na mjafton që ta rrokim edhe më shumë idenë se çfarë ka dashur të na thotë Samiu si një amanet gjithëkombëtar.
- S’do mend se pjesa dërrmuese e autorëve e kanë trajtuar manifestin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”. Analizat në këtë rrafsh kanë qenë nga më të ndryshmet, prej tek ato politike e deri te gjeopolitike e sociologjike, madje edhe etnologjike dhe antropologjike. Por, nuk duhet harruar edhe një fakt – shkenca nuk duron emocione. Në këtë numër do të mund të lexohen edhe analiza “forenzike” rreth autorësisë së kësaj vepre. Ata që e njohin veprën e Samiut, e dinë se ajo është botuar në vitin 1899 në Bukuresht, pa emër e mbiemër të autorit. E kjo, megjithatë, lë një shteg për debat shkencor.
- Ky numër në vete ngërthen edhe ese që flasin për opusin e tij letrar. Ndërkohë nuk mungojnë edhe shkrimet që “janë futur në shpirtin e Samiut”, për të na e sjellë neve “sa ma të gjallë”.
- Revista “Shenja”, sikurse çdoherë, është përpjekur ta ruajë distancën dhe nivelin akademik, duke mos promovuar etno-nacionalizëm në emër të “së vërtetës kombëtare”. Ndaj, siç edhe mund të vërehej nga letra dërguar autorëve, në asnjë çast nuk e kemi nxjerrë nga mendja se “Samiu aq sa është i yni, po aq është edhe i turqve”. Nëse për ne është kryerilindasi, për turqit është babai i leksikografisë.
- Sikurse ne, edhe ata kanë të drejtë të thirren në veprën e tij. Veprat e tij sa janë “tonat” janë edhe “t’atyre”. Sado që ne e kemi veprën monumentale “Shkronjëtoren”, ata e kanë “Kâmûs-ı Türkî”, që e bën një figurë të respektuar në fushën e leksikografisë turke.
- Të gjitha këto, në brendi të këtij numri, në forma të ndryshme do të shfaqen tek autorë të ndryshëm. Revista “Shenja” këtë mision u përpoq ta bartë mbi supe me dinjitet. Andaj askush, as sot as ndonjëherë, nuk mund dhe nuk do të mundë ta zhbëjë faktin se Samiu ka pasur një vizion më të dalluar për kombin shqiptar. Askush nuk mund ta mohojë kontributin e tij vetëmohues në Rilindjen Kombëtare. Idetë e tij për mënyrën e organizimit politik, arsimor e kulturor të shqiptarëve janë për t’u pasur zili edhe sot nga shumë qendra akademike. Qasja e tij ndaj dijes është e dallueshme nga gjithë bashkëkohësit e tij.
- Sot, në vitin 2024, kombi ynë ka ende për të mësuar prej tij. Ai është dhe duhet të mbetet objekt frymëzimi… Samiu është emblema shpirtërore e jona. Është figura që për 54 vjet, sa rrojti, na la në trashëgimi mbi 50 vepra, shumë gazeta e shumë revista… mos të flasim për esetë që janë të panumërta.
Shkruan: Ismail SINANI - (Editoriali i revistës “Shenja”)