- Sami Frashëri paraqet një qasje ndryshe nga ajo e shkollave historiografike marksiste dhe nacionaliste që e shohin periudhën e Perandorisë Osmane si një pushtim të gjatë 500-vjeçar. Ai nuk përdor termin “pushtim” për të përshkruar marrëdhëniet e shqiptarëve me osmanët, por e sheh Shqipërinë si një pjesë të integruar të mbretërisë osmane. Frashëri flet për Shqipërinë si një territor që “u muar” dhe shqiptarët që u bënë pjesë e Perandorisë, duke nënkuptuar një proces të gjatë integrimi dhe bashkëjetese.
- Xhaꬵer SADIKU, Tiranë
- Sami Frashëri, i njohur gjithashtu si Semseddin Sami Bey, ishte figurë e shquar dhe intelektual me ndikim të madh në Perandorinë Osmane. I lindur më 1 qershor 1850 në Frashër dhe i ndarë nga jeta më 18 qershor 1904 në Stamboll, ai shquhej për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme si gjuhësia, leksikografia, enciklopedistika, letërsia dhe përkthimi.
- Me kulturë të gjerë dhe aftësi të thella intelektuale, ai arriti të ngjisë shkallët e karrierës në Perandorinë Osmane dhe botës akademike të saj, duke lënë një trashëgimi të vyer jo vetëm për kulturën osmane, por edhe për kulturën dhe historinë shqiptare.
- Puna e tij përfshin krijime letrare, si romane dhe drama, si dhe përpjekje për standardizimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ai ishte gjithashtu autor i një enciklopedie të rëndësishme osmane, si dhe i disa fjalorëve dhe veprave të tjera themelore. Sami Frashëri, si një nga figurat më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, mbeti i tillë se ishte burim inꬵormacioni të besueshëm dhe idesh të qarta.
- Idetë për reꬵormimin e Perandorisë Osmane
- Në vitin 1880, kur Fuqitë e Mëdha shtuan presionin mbi Portën e Lartë për ta detyruar të zbatonte vendimet e Kongresit të Berlinit, Sami Frashëri i paraqiti Sulltanit një projekt të rëndësishëm për riorganizimin e Perandorisë Osmane. Ky projekt ishte një përgjigje ndaj krizave dhe dobësive që dolën në pah pas Kongresit të Berlinit (1878), i cili kishte ndryshuar kufijtë dhe balancat gjeopolitike të rajonit.
- Propozimet e tij përfshinin:
- Riorganizimin territorial dhe administrativ – synohej një strukturë më efikase dhe e qartë për menaxhimin e territoreve osmane.
- Reforma në sistemin gjyqësor – krijimi i një sistemi më të drejtë dhe transparent, që të shmangte korrupsionin dhe arbitraritetin.
- Zgjerimi i rrjetit të shkollave – theksi vihej në arsimimin masiv, i cili do të përmirësonte nivelin kulturor dhe ekonomik të shoqërisë.
- Propozimet e Sami Frashërit u morën pjesërisht në konsideratë, pasi vizioni i tij tregonte mendim të përparuar dhe përkushtim ndaj reformimit të strukturave shtetërore. Ky projekt shprehte edhe një herë idealin e tij për zhvillim dhe përparim, që ndikoi si në Perandorinë Osmane, ashtu edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare.
- Idetë për kombin dhe hapësirën etnike shqiptare
- Më 20 qershor 1878, dhjetë shqiptarët me pozitat më të larta në Stamboll, veprimtarë të çështjes kombëtare, midis të cilëve Sami Frashëri, Pashko Vasa, Seid Seremedi Toptani, Omer Vrioni etj., i dërguan një memorandum kontit Andrashi, ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë dhe përfaqësuesi i saj në Kongresin e Berlinit, për ta parashtruar atje.
- Memorandumi është një nga dokumentet më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare në fund të shekullit XIX, që tregon përpjekjet e shqiptarëve për të mbrojtur tërësinë territoriale dhe të drejtat e tyre kombëtare në një periudhë të tensionuar historike. Ai u dërgua në kuadër të Kongresit të Berlinit (1878), i cili synonte rregullimin e çështjeve territoriale pas përfundimit të Luftës Ruso-Osmane dhe trajtimin e kufijve të vendeve të Ballkanit.
- Pikat kryesore të memorandumit:
- Përkufizimi i kufijve historikë dhe etnografikë të Shqipërisë: Shqiptarët argumentonin se territori i përshkruar, nga Tivari në veri deri në Gjirin e Ambrakisë në jug, përfaqësonte Shqipërinë historike dhe etnografike, duke përfshirë qytete e krahina që sot janë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Mal të Zi.
- Kujtesa për rëndësinë e bashkëjetesës me Perandorinë Osmane: Shqiptarët deklaronin besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane dhe Sulltanit, duke theksuar se nuk dëshironin shkëputje prej saj, përveçse kërkonin respektimin e të drejtave të tyre brenda saj.
- Kërkesa për të mos shpërfillur të drejtën historike të Shqipërisë: Në dokument përmendet që nuk ishte e nevojshme t’i shpjegohej Kongresit për ekzistencën e Shqipërisë si një entitet historik, gjuhësor dhe etnografik pasi ato diheshin, duke i kërkuar që ta respektojë këtë realitet.
- Ky akt tregon një ndërgjegjësim të qartë të elitës shqiptare për nevojën e organizimit politik dhe përdorimit të diplomacisë ndërkombëtare për të mbrojtur interesat kombëtare. Megjithatë, Kongresi i Berlinit e injoroi këtë memorandum dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të shqiptarëve, duke mos marrë parasysh kërkesat e tyre. Kjo nënvizon rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit, e cila po ashtu u krijua në këtë periudhë për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëzimi.
- Firmëtarët u kujtonin Fuqive të Mëdha se populli shqiptar lypte që, pa u cenuar kurrkund të drejtat e Sulltanit, të ngrihej një Komision i posaçëm, i përbërë prej shqiptarësh, i cili, nën mbikëqyrjen dhe pëlqimin e Portës së Lartë, të studionte trajtën e të caktonte rregulloret e institucioneve të reja vendase, duke i përshtatur me karakterin, zakonet e nevojat e vendit.
- Idetë për arsimin në gjuhën shqipe
- Sami Frashëri dhe vëllai i tij, Naimi, ishin të përkushtuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht për alfabetin e Stambollit, që u bë një nga gurët themelorë të përpjekjeve për standardizimin e shkrimit të shqipes. Në një letër që i dërgonin Murat Toptanit, ata shprehnin shqetësimin për kundërshtitë dhe intrigat që armiqtë e kombit shqiptar përpiqeshin të ngrinin për të penguar zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve.
- Fjalët e tyre reflektonin bindjen e thellë në vlerat dhe aftësitë e gjuhës shqipe për të qenë një mjet i fuqishëm i komunikimit kulturor, arsimor dhe shkencor. Ata përmendnin arritjet konkrete: hartimin e gramatikës, përkthimin e poezive, shtypjen e librave shkencorë dhe përhapjen e shkrimit në shkolla dhe kudo në trojet shqiptare.
- Një tjetër pikë e rëndësishme ishte denoncimi i përpjekjeve përçarëse të individëve të ndryshëm, që synonin të minonin bazën e krijuar me mundim. Vëllezërit Frashëri shqetësoheshin se ndryshimi i vazhdueshëm i alfabetit do të çonte në humbjen e interesit dhe përkushtimit ndaj shqipes, duke krijuar konfuzion dhe duke dëmtuar zhvillimin e saj.
- Kjo letër tregonte përkushtimin e tyre ndaj identitetit kombëtar dhe gjuhësor shqiptar dhe vizionin që gjuha shqipe të bëhej një mjet i fuqishëm për përparimin dhe unitetin kombëtar. Mesazhi i saj mbetet aktual, duke na kujtuar rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të kulturës dhe gjuhës sonë.
- Sami Frashëri konsiderohej nga ana e Portës si kryetar i çdo lëvizjeje kombëtare të shqiptarëve, pasi ishte ai që u adresonte çështjet e tyre. Madje, në një bisedë me sekretarin e Sulltanit, ai i deklaroi se shkollimi ishte çelësi për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të kundërshtuar ndikimet asimiluese nga sllavizmi dhe helenizmi.
- Deklarata e tij për rëndësinë e shkollave për shqiptarët reflektonte qëndrimin strategjik të rilindësve, të cilët e konsideronin arsimin si një armë për të forcuar gjuhën, kulturën dhe vetëdijen kombëtare në një kohë kur shqiptarët përballeshin me kërcënime të ndryshme politike e kulturore nga fqinjët. Kjo ide e ky qëndrim luajtën rol kyç në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
- Sami Frashëri si referencë për historiografinë
- Sami Frashëri, duke qenë për një kohë të gjatë Sekretar i Komisionit të Regjistrimit Ushtarak të Perandorisë Osmane dhe, njëherazi, drejtues i gazetave të ndryshme në Stamboll, ai ishte autoritet në ꬵushën e historiografisë. Libri i tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, botuar në Bukuresht më 1899, është burim i rëndësishëm për historiografinë, i lënë jashtë reꬵerencave dhe vëmendjes së historiograꬵisë sonë. Përmes veprës së tij, ai ofronte një analizë të thellë dhe vizionare për historinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Në këtë vepër, ai trajton marrëdhëniet komplekse mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Sipas tij, në përgjithësi, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe osmanëve ishin një ndërthurje e bashkëpunimit, duke formuar një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit shqiptar.
- Samiu jep të dhëna për kontaktet e para të shqiptarëve me osmanët, për luftën e Kosovës, për konvertimet në Islam, për vetëqeverisjen e shqiptarëve deri në reformimin e Perandorisë Osmane në gjysmën e shekullit XIX, për alfabetin e gjuhës shqipe etj. Beteja e Fushë-Kosovës më 1389 është një ngjarje kyçe ku shqiptarët, duke u bashkuar me osmanët, përballen me një koalicion serbo-magjar. Ky bashkëpunim ishte i rëndësishëm për konsolidimin e aleancës osmano-shqiptare në dekadat pasuese.
- Kontaktet e para me osmanët: Sami Frashëri përshkruan ardhjen e osmanëve në Ballkan dhe rolin e shqiptarëve te koalicioni në Betejën e Fushë-Kosovës (1389). Sipas Samiut, ky moment historik ishte një shembull i bashkëpunimit strategjik midis shqiptarëve dhe osmanëve. Në tekst nënvizohet se shqiptarët, përpara pushtimit osman të Shqipërisë, ishin integruar në radhët e ushtrisë dhe administratës osmane, duke fituar besimin e sulltanëve dhe duke shërbyer në pozita të rëndësishme. Kjo është një pasqyrë e lidhjeve të hershme midis shqiptarëve dhe osmanëve, që shpesh shpjegohet nga aftësia ushtarake. Samiu përmend në libër shqiptarin Bajazit Pasha si një figurë kyçe që shpëtoi jetën e Sulltan Mehmet Çelebiut, duke luajtur një rol të rëndësishëm në vazhdimësinë e dinastisë osmane, pas përplasjes së madhe me Timurlengun.
- Shqiptarët, njerëz trima e luꬵtëtarë, kanë pasur gjithë jetën dëshirë të madhe për luꬵtë, e luꬵtën e kanë quajtur një punë e një ꬵitim për veten e tyre. Vinin nëpër të gjitha anët e Europës me armë në dorë e bënin të ꬵitonte ai që i merrnin anë. Pas këtij zakoni të vjetër të tyre ishin hedhur edhe në Azi, e kishin hyrë në shërbim të osmanëve duke i ndihur atyre me armë e me trimëri.
- Përmes shërbimit të tyre të dalluar në ushtrinë osmane, shqiptarët jo vetëm që kontribuuan në sukseset e Perandorisë, por edhe fituan përvojë dhe ndikim, që më vonë do të përdorej në përpjekjet për pavarësi dhe krijimin e shtetit shqiptar.
- Sami Frashëri paraqet një qasje ndryshe nga ajo e shkollave historiografike marksiste dhe nacionaliste që e shohin periudhën e Perandorisë Osmane si një pushtim të gjatë 500-vjeçar. Ai nuk përdor termin “pushtim” për të përshkruar marrëdhëniet e shqiptarëve me osmanët, por e sheh Shqipërinë si një pjesë të integruar të mbretërisë osmane. Frashëri flet për Shqipërinë si një territor që “u muar” dhe shqiptarët që u bënë pjesë e Perandorisë, duke nënkuptuar një proces të gjatë integrimi dhe bashkëjetese.
- Ai nënvizonte se shqiptarët gjetën tek osmanët një aleat të fortë në luftë, ndërsa turqit ofronin shqiptarëve mundësi për të vepruar sipas dëshirave të tyre. Ky përshkrim i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe osmanëve tregon një kompleksitet të marrëdhënieve historike, ku besnikëria dhe trimëria luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe ushtarake të asaj kohe.
- Për të mbështetur këto konkluzione, ai e analizon historinë e kontaktit të shqiptarëve me osmanët, duke u fokusuar në periudhat para se viset shqiptare të ishin përfshirë në Perandorinë Osmane. Kjo qasje hedh dritë në një histori më të komplikuar të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe osmanëve, ku shqiptarët ruajtën identitetin dhe autonominë e tyre.
- Konvertimi në Islam: Sami Frashëri analizonte procesin e konvertimit, duke e trajtuar atë jo vetëm si një ndryshim fetar, por edhe si një strategji për mbijetesë dhe përshtatje kulturore. Ai përshkruan një fenomen të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve gjatë periudhës osmane: konvertimin në Islam dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Sami Frashëri theksonte se shqiptarët kishin filluar të merrnin fenë islame që para se Shqipëria të bëhej zyrtarisht pjesë e Perandorisë Osmane, me zotërinjtë e vendit që ishin ndër të parët që u kthyen në myslimanë. Kjo tregon për një proces gradual të integrimit në strukturat sociale dhe politike të osmanëve, ku feja luante një rol të rëndësishëm. Procesi i islamizimit në trevat shqiptare nisi më herët, si rezultat i marrëdhënieve personale dhe pozitave të arritura nga shqiptarët në Perandorinë Osmane.
- Frashëri nënvizon gjithashtu se, përkundër konvertimit të shumë shqiptarëve në Islam, ata që mbetën të krishterë e ruajtën lirinë dhe armët e vazhduan të merrnin pjesë aktive në luftëra, duke luftuar përkrah vëllezërve të tyre myslimanë kundër armiqve të Perandorisë. Ky bashkëpunim në luftë tregon për një ndjenjë të fortë të solidaritetit dhe unitetit ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht dallimeve fetare.
- Ky përshkrim reflekton një aspekt të rëndësishëm të identitetit kombëtar shqiptar, ku traditat, besimet dhe angazhimi në mbrojtjen e tokave dhe të kombit ishin më të rëndësishme se dallimet fetare. Kjo ndihmon në kuptimin e kompleksitetit të marrëdhënieve sociale në Shqipëri gjatë periudhës osmane, ku identiteti shqiptar shpesh ishte më i rëndësishëm se identiteti fetar.
- Vetëqeverisja dhe reformat osmane: Sami Frashëri, në veprën e tij, hedh dritë mbi autonominë që shqiptarët kanë gëzuar në periudha të ndryshme dhe mbi efektet e reformave osmane të shekullit XIX, të cilat çuan në centralizimin administrativ. Ai thekson se shumë vezirë të mëdhenj (sadrazemë) të Perandorisë Osmane ishin shqiptarë dhe se shumë figura të shquara në administratën dhe kulturën osmane ishin me origjinë shqiptare. Kjo përfshirje e shqiptarëve në administrate, ushtri dhe kulturë u dha shqiptarëve status të barabartë me turqit, madje bëri që Shqipëria të mbetej nën vetëqeverisje, ku pozitat e larta drejtoheshin nga shqiptarë dhe qeverisja bëhej sipas zakoneve dhe ligjeve tradicionale shqiptare. Samiu argumentonte se Shqipëria, shpesh, nuk paguante as taksa përveç gjakut të derdhur në luftë, një sakrificë që shpërblehej dhe vlerësohej shumë.
- Sipas Frashërit, kjo autonomi dhe ky status i veçantë përfunduan me reformat europiane të aplikuara në Perandorinë Osmane në mesin e shekullit XIX, të cilat synonin centralizimin e pushtetit. Kjo reformë shënoi fundin e periudhës katër shekullore të autonomisë shqiptare dhe të qeverisjes nga vetë shqiptarët, të cilën Frashëri e konsideronte një kohë të artë për Shqipërinë brenda Perandorisë Osmane.
- Alfabeti dhe gjuha shqipe: një nga shqetësimet kryesore të Sami Frashërit ishte zhvillimi i gjuhës dhe alfabetit shqip si themel për unitetin kombëtar. Ai e pa edukimin dhe gjuhën si mjetin kryesor për zgjimin kombëtar. Sami Frashëri kritikonte shqiptarët pasi nuk ishin menduar kurrë të zgjidhnin një palë shkronja për të shkruar gjuhën e tyre dhe shqipja kishte mbetur gjuhë e pashkruar. Ai tregonte shkaqet pse nuk shkruhej gjuha shqipe dhe i shprehte mirënjohjen Sulltan Abdylhamidit II, gjatë sundimit të të cilit u krijua alfabeti i gjuhës shqipe me të cilin u shkruajt për më shumë se 30 vjet.
- Sami Frashëri pasqyronte shqetësimin e tij për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit shqiptar përmes gjuhës shqipe. Ai argumentonte se mungesa e shkrimit të gjuhës shqipe kishte ndikuar negativisht në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve, duke i bërë ata më të prekshëm ndaj ndikimeve dhe asimilimit nga kombet e tjera. Ai theksonte se një komb mund të ruajë identitetin dhe ekzistencën e tij vetëm nëse gjuha e tij shkruhet dhe mësohet. Përndryshe, kombi është i dënuar të zhduket, veçanërisht në kohën moderne, kur proceset e asimilimit ndodhin më shpejt.
- Samiu apelonte që çdo shqiptar, pavarësisht moshës, të mësonte shkrimin dhe leximin e gjuhës së tij. Kjo ishte e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e shqiptarëve si komb i pavarur dhe i ndritur. Mesazhi i tij mbetet aktual dhe frymëzues edhe sot, duke kujtuar se gjuha është pasuria më e madhe e një kombi.
- Vizion për të ardhmen
- Vepra e Sami Frashërit mbetet një thesar historik dhe ideologjik që pasqyron ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve në fund të shekullit XIX, duke nxitur një frymë përparimi dhe vetëdije për identitetin kombëtar. Ajo shkon përtej historisë së kaluar, duke u përqendruar në një projekt të qartë për të ardhmen e Shqipërisë.
- Sami Frashëri shprehu ide të përparuara për kohën e tij në lidhje me sistemin parlamentar. Në mendimet e tij, ai mbështeste idenë e rinovimit të vazhdueshëm të parlamentit, duke propozuar që një e treta e deputetëve të zëvendësoheshin periodikisht. Kjo ide e një mekanizmi të tillë siguron një balancë midis eksperiencës së deputetëve të mëparshëm dhe energjisë së re që mund të sjellin anëtarët e rinj.
- Në vizionin e tij, për çdo dymbëdhjetë vjet, parlamenti do të ndryshohej tërësisht, duke përjashtuar mundësinë e stanjacionit politik dhe duke inkurajuar përfaqësim më të freskët dhe të drejtë të interesave të popullit. Kjo pikëpamje tregon përparësinë e Samiut në kuptimin e qeverisjes demokratike dhe rëndësinë e rinovimit si një mjet për të mbajtur të gjallë funksionimin e institucioneve shtetërore. Ideja pasqyronte gjithashtu përpjekjen e tij për të promovuar një model të përparuar qeverisës, duke integruar parimet e stabilitetit dhe reformës së vazhdueshme.
- Vepra e Sami Frashërit shpesh lihet jashtë referencave historiografike, madje edhe është injoruar nga historianët që mbështeten në burime perëndimore dhe orientaliste. Por, vepra e Samiut mbetet e paçmuar për interpretimin e rolit të shqiptarëve në historinë rajonale dhe për të kuptuar shtysat intelektuale pas lëvizjes kombëtare shqiptare. /revistashenja