Dijetari është njeri dhe, si i tillë, nuk mund t’u shpëtojë gabimeve. Ka huqe dhe zakone jetësore si të gjithë. Jeta e dijetarit nuk është përsosmëri. Ajo çfarë e dallon prej masës së njerëzve është përpjekja për të nënshtruar egon dhe për të mbajtur të pastër vazhdimisht qëllimin me të cilin ecën rrugës së dijes. Tregohet i kujdesshëm për të mos u mundur nga vetëpëlqimi dhe lëvdatat e të gjallëve. Mbetet nxënës i përhershëm dhe shërbëtor i përunjur i detit të thellë të dijes.
Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë
Dija është dhuratë e paçmuar. Asnjë vlerë monetare, kapital fizik ose ndërtesë madhështore me finesë e elegancë nuk mund ta zëvendësojë vlerën e dijes dhe të dijetarit. Të diturit janë kurora e njerëzisë. Dijetari është një nga yjet e kësaj kurore. Dijetar është ai që frymëzon. Është ai që me punën dhe sakrificën e vet jo vetëm nuk resht së lexuari e përsiaturi, por edhe i jep udhë çështjeve që shqetësojnë njerëzit në përditshmëri. Dijetarin e karakterizon mençuria e urtësia. Ai nuk është njeriu që ka skeptrin e vërtetësisë, por është një udhëtar në shërbim të saj. Kudo ku ai gjendet bëhet shpirt i atij vendi. Bëhet ylli që nuk i lë njerëzit të humbin udhën e njerëzillëkut, pavarësisht errësirës në të cilën ecin ata.
Dijetari është njeri dhe, si i tillë, nuk mund t’u shpëtojë gabimeve. Ka huqe dhe zakone jetësore si të gjithë. Jeta e dijetarit nuk është përsosmëri. Ajo çfarë e dallon prej masës së njerëzve është përpjekja për të nënshtruar egon dhe për të mbajtur të pastër vazhdimisht qëllimin me të cilin ecën rrugës së dijes. Tregohet i kujdesshëm për të mos u mundur nga vetëpëlqimi dhe lëvdatat e të gjallëve. Mbetet nxënës i përhershëm dhe shërbëtor i përunjur i detit të thellë të dijes. Tregon se si duhet ndërtuar njeriu dhe e gjithë jeta i shkon për të dhënë shembullin vetjak se si realizohet kjo vepër madhështore.
Kur njeriut i mungojnë virtytet e njerëzillëku, populli thotë “Nuk ia ka bërë Zoti rrisk”. Virtytet e njerëzillëku nuk fitohen e mbrohen pa dije. Dije është ajo që ruan zemrën, shpirtin dhe trupin e njeriut nga gjëma e së keqes. Nëse e sheh veten në udhën e dijes, të është hapur një portë që mund ta mbyllësh vetëm duke iu nënshtruar egos dhe ambicies së verbër për famë e lavdi. Nëse sheh se je duke ecur në të dhe zemra të gjallohet, shpirti të qetësohet, atëherë të ka bërë Zoti rrisk mirësinë më të madhe që i ka dhënë njeriut. Detyrë mbetet puna dhe sakrifica për t’u kredhur gjithmonë e më thellë në detin e dijes.
Jeta dhe vepra e Sami bej Frashërit janë shembull i kuptimit të vetvetes, aftësive të saj. Vendlindja e tij, fshati Frashër, është shenjë se dijetar nuk bëhesh nga vendi ku lind, po nga dashuria për të qenë gjithmonë kërkues i dijes. Veprat e tij janë shenjë se si dashuria për dijen kërkon sakrificë kohe, financiare, tërheqje nga çfarë njerëzit i quajnë kënaqësitë e jetës. Jetë e rregullt, kohë e shfrytëzuar mirë, familje e ndërtuar me sfida e halle si të gjithë njerëzit, përballimi i vështirësive dhe tejkalimi i tyre, i japin në dorë njeriut çelësat e kuptimit të halleve dhe vështirësive të njerëzve. Ky është njeriu që dijen nuk e ka thjesht për të teorizuar, por e vendos në shërbim të së vërtetës. U flet njerëzve me gjuhën që ndjejnë e kuptojnë. Nuk jeton i shkëputur nga realiteti. Përpiqet që me fjalë plot urtësi e mençuri t’u gjallërojë zemrat e dëshpëruara, t’u freskojë shpirtrat e lodhur dhe t’u kthjellojë ndërgjegjet e pavetëdijshme.
Njerëzit mendojnë se veprat e mëdha arrihen me shumë punë e sakrificë. Të drejtë kanë, por harrojnë se puna e sakrifica janë shkaqe, kurse origjina e këtyre shkaqeve është dashuria për dijen. Pa këtë dashuri nuk ka vepra të mëdha. Nuk ka net pa gjumë për të kënduar urtësitë e mençuritë e të diturve. Nuk ka fuqi që të mposhtet koprracia në shpenzime kur vjen fjala tek boja e letra. Nuk ka ëndje për të dëgjuar e mësuar nga tjetri. Nuk ka tërheqje nga shpërdorimi i panevojshëm i kohës. Nuk ka durim e vullnet për t’u ulur dhe për të hedhur në letër dijen e përvetësuar me kohën. Nuk ka vizion për të parë horizontet që shumë nuk i shquajnë as për së afërmi. Vepra e Sami bej Frashërit është fryt i dashurisë për dijen. Atë që do të duhej ta kryenin shumë studiues duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, Sami bej Frashëri e kreu i vetëm në saje të dashurisë së zjarrtë për dijen. Shumë vjet pas vdekjes së Sami Frashërit, Ismail Habib Sevuk-u, duke parë veprat e tij të shkruara me përpjekje mbinjerëzore thoshte kështu: “Atë punë që ndonjëherë nuk do ta kryenin akademitë të përbëra nga 40-50 vetë, duke punuar vite me radhë, del një Shemsettin Sami dhe e kryen duke u përpjekur si divat…” (Zyber Hasan Bakiu, Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit, Tiranë, Shtëpia botuese, 8 Nëntori, 1982, faqe 297).
Ku njeriu ndjen në shpirtin e tij se nuk mund të shkëputet nga pena dhe letra, nuk ka përse të presë të thinjet për të hedhur mendimet e tij në faqe artikujsh apo librash. Nuk ka pse të bëjë pakt me rrethanat ku gjendet që të heqë dorë për të mos shkruar dhe mbrojtur vlerat më të larta njerëzore, edhe pse mund të kundërshtohet ose kritikohet që t’i zbehet vullneti për shërbim ndaj së vërtetës përmes dijes. Koha nuk pret askënd nëse nuk vepron atëherë kur zemra dhe shpirti e çojnë ndër burime të dijes.
Trashëgimia e dijetarëve nuk janë pallatet madhështore, shtëpitë e zbukuruara, lavdia dhe fama që u japin të tjerët, pozita shoqërore. Trashëgimia e tyre janë veprat e shkruara e të botuara që jo vetëm i rezistojnë kohës, por më shkuarjen e saj bëhen gjithmonë e më të vyera.
Jetën dhe veprën e Sami bej Frashërit mund ta këndojmë shqip përmes këtyre veprave:
– Zyber Hasan Bakiu, Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit, Shtëpia botuese, 8 Nëntori, Tiranë, 1982.
– Akademia e e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Sami Frashëri Vepra 1, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1988.
– Akademia e e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Sami Frashëri Vepra 2, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1989.
– Agah Sirri Levend, Sami Frashëri, Dituria, Tiranë, 2004.
– Zyber Hasan Bakiu, Sami Frashëri Fjalë të urta dhe tregime zbavitëse, Maluka, Tiranë 2002.
– Sami Frashëri, Qytetërimi Islam, Shtëpia botuese “falcon”, Tiranë, 2013.
– Sami Frashëri, Dashuria e Talatit dhe Fitnetes, Shtëpia botuese Fan Noli, Tiranë 2018.
– Sami Frashëri, AΛFABεTAPε ε Glúhese Σqip 1879, botim anastatik i kopjes së alfabetares që Sami Frashëri ia dhuroi sulltan Abdulhamidit II. Alsar, Tiranë, 2019.
– Kolana shtatëvëllimshe e mbi 30 veprave të Sami Frashërit, Logos – A, Shkup, 2024.
Dijetari ndërton veprën, ndërsa koha i jep vendin që meriton. Sami bej Frashëri e ka ndërtuar dhe lënë pas veprën e tij, duke zënë vendin që i takon në yjësinë e të diturve. Na takon neve, bashkëkombësave të tij, që ta shfletojmë e lexojmë veprën e tij shumëpërmasore, si nderim për punën e pakursyer të atyre që jetën e vet e djegin për të ndriçuar të tjerët.
Prej veprës së Sami Frashërit Fjalë të urta dhe tregime zbavitëse, përkthyer në shqip nga Zyber Hasan Bakiu, po shkëputim disa prej tyre:
Mendja e një kombi është arsimi, ndërsa zemra e tij është morali. (Faqe 22)
Nuk mund t’i shërbejnë një kombi, ata që nuk janë të pajisur me një moral të mirë. (Faqe 36)
Rruga e jetës është drejtësia, ndaj mos u ndaj nga rruga duke hyrë nëpër rrugica. (Faqe 40)
Nuk mund të jetë dijetar ai që nuk mposht vetveten. (Faqe 50)
Në besimin e thjeshtë nuk ka fanatizëm dhe në diturinë e vërtetë nuk ka krenari. (Faqe 88)
Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku nuk ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë. (Faqe 94)
Çdo tiran ka të parashkruar ditën e Gjyqit të Madh. (Faqe 98)
Punët dhe sjellja e njeriut janë pena për të vizatuar figurën e tij shpirtërore. (Faqe 123) /revistashenja