Kjo recetë u përgatit nga Arti i gatimit
Përbërësit: 500 g karkaleca, 100 g sallatë jeshile, 50 g ullinj, 100 g domate të vogla, 2 rrepa, vaj ulliri, lëng limoni, kripë dhe piper.
Përgatitja: Si fillim i pastrojmë karkalecat . Heqim bishtin nga trupi dhe me një thikë shkëpusim pjesën e zezë të gjatë. Më pas i zhysim në një enë me ujë të ngrohtë për disa minuta. I kullojmë dhe i lëmë të ftohen. Ndërkohë vazhdojmë me përgatitjen e perimeve. Pastrojmë rrepat dhe i presim në feta të holla. Bëjmë të njëjtën gjë me domatet e vogla dhe i vendosim më vete. Në një enë hedhim vaj ulliri, piper dhe lëng limoni. E trazojmë mirë këtë përbërje që do të na shërbejë të spërkasim sallatën me karkaleca. Për ta shërbyer sallatën mund të vendosim një shtresë sallate jeshile poshtë dhe më pas të vendosim domate, rrepa dhe disa ullinj, sipër shtojmë karkalecat e detit. Ose sipas dëshirës mund t’i përzieni të gjithë
përbërësit së bashku. Në fund shtoni lëngun aromatizues dhe rregulloni kripën. Sallata me karkaleca është gati.