Njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, Salih Mustafa, ka kohë deri sot që para gjykatësit të procedurës paraprake të pranojë fajësinë ose jo lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte. Seanca dëgjimore për rastin e tij do të mbahet sot në orën 15:00.
Ai pritet të deklarohet sot para Dhomave të Specializuara me seli në Hagë rreth akuzave që e ngarkon Prokuroria Speciale.
Nga Dhomat e Specializuara nëpërmjet njoftimit për seancës e sotme kanë bërë të ditur se Mustafës do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtori ose i pafajshëm në lidhje me akuzat që ngarkohet. E nëse Mustafa nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, atëherë gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarimin e pafajësisë në emër të të akuzuarit në përputhje me rregulloren.
“Gjatë pjesës së parë të seancës, z. Mustafa do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në Aktakuzën e konfirmuar, në përputhje me rregullën 92(2)(c) të Rregullores. Nëse i akuzuari nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, pjesë e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e dytë për ecurinë e çështjes.
Seanca dëgjimore e Mustafës do të mbahet në prani të prokurorit special dhe mbrojtjes, duke filluar nga ora 15:00.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor, ndërsa ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në Hagë. E ku më 28 shtator Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju.
Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.