Salca e ullirit me shije plot aromë

Ulliri është padyshim një nga dhuratat më të çmuara të natyrës dhe Shqipëria është me fat për cilësinë e ullinjve.

Në të gjitha format dhe nënproduktet e tij, ulliri është pjesë e tryezave tona çdo ditë të vitit.

Nëse dëshironi një recetë të re që shumëfishon shijen e ullirit, atëherë ju sugjerojmë salcën unike të ullirit.

Përbërësi kryesor i kësaj salce është padyshim ulliri dhe AgroWeb ju sjell recetën e duhur për salcën më të shijshme me bazë ulliri.

Salcë ulliri me hudhër

Kjo përzierje e vajit, uthullës, ullinjve dhe hudhrës është e fortë dhe aromatike.

Përdoret kryesisht për brusketa, perime ose si meze për t’u shoqëruar me raki ose verë.

Përbërësit:

  • 3 filxhanë çaji të mbushur me ullinj të zinj ose jeshil pa bërthamë
  • 3 lugë çaji me vaj ekstra të virgjër ulliri
  • 3 lugë çaji me uthull rrushi ose molle
  • 1-2 thelbinj hudhër të grirë

Përgatitja:

Përzieni të gjithë përbërësit e mësipërm në një mikser për disa minuta derisa të shkrihen në një salcë të njëtrajtshme.

Shërbejeni duke e shoqëruar me bukë të thekur, perime, peshk, raki dhe verë.

Ullinjtë

Tradicionalisht, salca e ullirit përgatitet nga ullinjtë e zinj, por nëse preferoni një aromë pak më të butë se ajo e ullinjve të zinj, atëherë zgjidhni ullinjtë tuaj të preferuar.

Hiqni bërthamat dhe hidhni në mikser bashkë me përbërësit e tjerë.

Erëzat dhe hudhra

Disa ekspertë kuzhine shtojnë majdanozin në recetën e mësipërme, ndërkohë që të tjerë preferojnë rigonin.

Hudhra nga ana tjetër është e rekomandueshme, por nuk duhet ta teproni.

Kjo pasi hudhra ka tendencën të dominojë në shije dhe t’ia kalojë aromës së ullirit.

Përbërës të tjerë

Lëkura e limonit është një tjetër element çudibërës në këtë salcë, duke i dhënë një shije agrumesh tepër të freskët, salcës së errët të ullirit që ngjan tepër e sofistikuar.

Metoda e përdorur:

Salca e ullirit mund të përgatitet me mënyrën natyrale të shtypjes së përbërësve, por mund të zgjidhni edhe një mikser të mirë. Salca e njëjtrajtshme që do të përftoni shkon shumë mirë me panine, sallata ose me domate të kuqe.