Saimir Tahiri është nën hetim. Madje me bashkim procedimesh. Akuzohet se është bashkëpunëtor në trafikun e drogës përpos faktit të korrupsionit. Edhe pse ai nuk u lëshua nga miqtë e tij të parlamentit, emri i ishministrit të Brendshëm është në një procedim penal që lidhet me një grup të strukturuar kriminal, ku disa janë ta arrestuar më herët e disa të tjerë janë në kërkim.
Është një material hetimor që flet për bashkimin e procedimeve, ku sipas të dhënave të dosjes hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë del që grupi i goditur në shtatorin e një viti më parë janë të njëjtët me grupin e Moisi Habilajt dhe të Saimir Tahirit. Ish-ministri, i cili mohoi në mënyrë kategorike faktin që është nën arrest nga autoritetet italiane, tashmë ka në prokurori një procedim penal si bashkim procedimesh e madje nën dy akuza të rënda dhe konkrete.
“Shekulli” sjell pikërisht këtë fakt nga dosja e Krimeve të rënda, dosje që është hartuar në vendin tonë dhe që ka nisur që në korrikun e vitit 2016, kohë kur u tha se po verifikoheshin grupe të fuqishme droge në Vlorë, por që herë pas here shkëputej vëmendja nga kjo zonë. Megjithatë goditja e një grupi, ku u shpall në kërkim edhe një oficer policie nxori në pah faktin se ishte goditur grupi që kishte humbur betejën me bashkëpunimin policor, por më vonë hetimet çuan në faktin tjetër se grupet kishin bashkëpunuar në trafikun e drogës e madhe edhe kishin mbështetjen e Saimir Tahirit!
Procedimet
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në datë 08.07.2016 regjistroi procedimin penal Nr.134/2016 për veprën penale “kultivim të bimëve narkotike” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Regjistrimi i këtij procedimi u bë mbi bazën e të dhënave të grumbulluara nga Policia Gjyqësore në Prokurorinë pranë kësaj gjykate e cila në bashkëpunim me organet ligjzbatuese në vend mundi të sigurojë informacione mbi aktivitetin kriminal të disa grupe personash, shtetas shqiptarë, të rezultuar si grupe të strukturuar kriminalë në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Në datë 29.04.2017, Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë regjistroi procedimin penal Nr.164/2017 për veprën penale të trafikimit në bashkëpunim. Regjistrimi i këtij procedimi u bë mbi bazën e informacione referuese të shërbimeve të policisë gjyqësore të seksionit kundër narkotikëve, në drejtorinë vendore të policisë së Vlorës sipas të cilëve shtetasit Nazer Seitaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj dhe një adoleshenti, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Në datës 25.09.2017, duke arsyetuar se disa prej personave që hetoheshin në kuadër të procedimit penal nr.134 (ndërkohë që disa prej tyre, Renato Avdyli, Shkëlqim Koçiaj, Xhovani Baço, Marjus Bajrami, Reshat Radhima, Taulant Haxhiraj, Klajdis Imeri, etj u përfunduan hetimet dhe çështja u paraqit për gjykim) ishin të përfshirë edhe në trafikimin e lëndëve narkotike së bashku me shtetasin Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nazer Seitaj, prokurori i çështjes vendosi bashkimin e procedimeve 134/2016 dhe nr 164/2017 në një procedim të vetëm Nr 134/2016!
Në datë 17.10.2017, Prokuroria pranë Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, regjistroi procedimin penal Nr. 313/ 2017 për veprat penale trafikim i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhur vendorë, duke urdhëruar njëkohësisht regjistrimin e emrit të shtetasit Saimir Tahiri si person nën hetim për llogari të këtij procedimi.
Regjistrimi i procedimit të mësipërm u bë mbi bazën e të dhënave të përftuara nga media në lidhje me faktin e arrestimit nga autoritet italiane të drejtësisë të shtetasit Moisi Habilaj si pjesë e grupit kriminal që ushtronte aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve. Sipas informacioneve referues që parapriu regjistrimin e procedimit, rezultoi se arrestimi i shtetasit Moisi Habilaj u krye në kuadër të hetimit në vazhdimësi nga autoritetet e drejtësisë italiane në lidhje me faktin e sekuestrimit të sasisë prej 3.5 tonësh lëndë narkotike.
Në kuadër të hetimeve të kryera (gjithmonë sipas informacioneve referuese) u arrit të zbulohej se personi nën hetim Moisi Habilaj së bashku me persona të tjerë kishin bashkëpunuar me ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri. Në datë 18.10.2017 u vendos bashkimi i këtij procedimi me procedimin nr. 134/2016!”
Hetimi/Kapanonet e drogës, pjesë e hetimeve të prokurorisë
Të tjera detaje mësohen nga dosja hetimore që kanë në dorë prokurorët e Krimeve të Rënda për vëllezërit “Habilaj”. Mësohet se përveç tyre, Prokuroria për Krime të Rënda po hetonte prej thuajse fillimit të majit të vitit të kaluar një grup kriminal të drejtuar nga Taulant Haxhiraj, që dyshohej edhe për bashkëpunim me Habilajt. Në dosje thuhet se anëtarët e grupit kriminal në fjalë, pasi kishin siguruar sipërfaqe toke në pyll apo kullota, në pronësi të shtetit ose të personave privatë, kultivonin në to bimë narkotike në sasi nga 4500 deri në 5000 rrënjë për secilën parcelë.
Sipas prokurorisë, grupi kriminal kishte vendosur lidhje me punonjës të policisë vendore, të cilët kundrejt përfitimeve monetare u siguronin mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm. Zyrtarët e policisë jo vetëm nuk raportonin për vendndodhjen e parcelave, por informonin pjesëtarët e grupit kriminal për lëvizjet që bëheshin nga drejtoria vendore dhe kontrollet që ushtroheshin nga policia. Sipas materialit hetimor saktësohet se parcelat ndodheshin në një zonë të pyllëzuar mes fshatrave Vezhdanisht e Treblovë. Jo shumë larg plantacioneve grupi kriminal kishte ndërtuar kapanone për tharjen e lëndës narkotike.
Gjashtë muaj pas sinjalizimit nga policia, Krimet e Rënda firmosën arrestimin e Armand Koçerrit, një prej njerëzve më të afërt të Habilajve, pasi në shtëpinë e tij në Babicë të Vogël u sekuestrua një sasi prej afro 4 tonë kanabis. Pas infermierit të Babicës në pranga ra edhe një tjetër bashkëpunëtor, Nezar Seitaj, që jo vetëm kërkohej nga prokuroria e Katanias, por ishte skeduar dhe po hetohej edhe nga prokuroria. Vetëm pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me dije se kishte hapur hetim ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, me dyshimet për përfshirje në grupin e kushërinjve të tij.
Italianët duan”kokën” e të besuarit të Habilajt
Duhet me çdo kush përkthimi i dosjes me qëllim mbajtjen në pranga dhe dërgimit në Itali të Nazer Seitaj. Kështu vetëm 48 orë kohë i është lënë afat përkthimit të gjithë dosjes! Ky është ultimatum që ka vënë Prokuroria e Krimeve të Rënda për përkthyesit e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e dosjes së Katanias kundër Moisi Habilajt dhe të ushtarëve të tij. Sipas të dhënave saktësohet se deri të premten në mesditë duhet të dorëzohen të paktën 1800 faqet e fashikujve të parë që kanë mbërritur në seksionet e tyre. Më pas radhën do ta kenë pjesë e tjera të dosjes voluminoze të Habiljave dhe të shokëve të tij deri edhe ministra të dy kabineteve qeveritare të Edi Ramës.
Edhe pse ende nuk bëhet me dije se sa urdhër-arreste kanë ardhur në drejtim të Prokurorisë sonë nga ana e homologëve të Katanias, bëhet me dije se në grupin prej afër 190 vetave, pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Kjo shifër që ka dalë nga përgjimet në katër vite aktivitet të Moisi Habilajt dhe grupit të tij këtej e andej kufirit mësohet se do iu shtohen edhe emra të tjerë, ndonëse hetimet do të vazhdojnë edhe për muaj me radhë.
Sipas informacioneve që vijnë nga Katania mësohet se janë shumë emra zyrtarësh të lartë si nga ana e policisë lokale ashtu edhe nga zyrtarët tanë jo vetëm nga ana e policisë po deri në rang ministrash. Por fillimisht prokurorisë sonë i duhen përkthimet e një sërë materialesh për të bërë të mundur mbajtjen në qeli të disa personave të arrestuar konkretisht në kuadër të këtyre hetimeve e pastaj për të pritur edhe pjesën tjetër të dosjes që është më shumë se 8 mijë faqe.
Përkthimi
Krimet e Rënda mësohet se i kanë lënë afat Ministrisë së Drejtësisë deri këtë të premte për të mbyllur përkthimin e dosjes “Habilaj” dhe për ta dorëzuar në funksion të hetimeve të nisura. 1800 fletët e fashikullit hetimor të një grupi kriminal që ishte përfshirë në trafik kanabisi, janë përcjellë përmes një letër-porosie nga drejtësia italiane në datën 19 tetor.
Ndërkohë që vetëm pasi ky material t’i jepet në shqip akuzës, grupi i hetimit do të vendosë se kur do ta thërrasë për ta pyetur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më herët ka dalë para prokurorëve me kërkesë të tij. Prokurorët presin përkthimin urgjent të dosjes edhe për një arsye tjetër që ka lidhje me vendimin e arrestit me afat për Nazer Seitin, njeriun që Italia e kërkon me çdo kusht të mbahet ne qeli dhe madje edhe të ekstradohet. Emri i tij është një nga më të lakuarit në dosjen voluminoze të italianëve të anti-drogës.
Tashmë ndër të tjera pritet të arrestohen edhe një grup tjetër që janë pjesë e këtij trafiku po që policia jonë nuk e di fare vendndodhjen e tyre, ndërkohë që bëhet me dije se Seiti ishte një arrestim në kushtet e një fshehtësie të plotë informacioni. Sipas të dhënave bëhet me dije se policia jonë nuk ka qenë fare në dijeni të personit që do të vihej në pranga pasi ka qenë i përcaktuar fakti se Seiti do të lajmërohej nga Policia.
Italianët kanë përgjime të shumta që lidhen me komunikimet e Seitit me policinë e Vlorës dhe më gjerë, ndaj edhe është kërkuar që arrestimi i tij mos të kalonte fare nga policia shqiptare, po ashtu siç edhe sasia prej më shumë se 4 tonësh drogë që u kap në shtëpinë e infermierit të spitalit të Vlorës në Babicë të Vogël, të nesërmen e shpërthimit të skandalit të implikimit të zyrtarëve të lartë tub shtetit në trafikun ndërkombëtar të drogës.