Şahin: Kompania BioNTech është “shumë e lumtur” që ndihmon Turqinë

Bashkë-themeluesi i kompanisë farmaceutike gjermane BioNTech, Uğur Şahin, pas marrëveshjes së fundit me Turqinë për vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19), ka deklaruar se kompania e tij është “shumë e lumtur” që është në gjendje të ndihmojë Turqinë.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) pasi autoritetet turke njoftuan një marrëveshje me kompaninë BioNTech për sigurimin e vaksinave COVID-19, Şahin i cili është me origjinë turke tha se, “Turqia është atdheu ynë. Ne jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje të ndihmojmë popullin në Turqi”.

“Ne kemi diskutime me TUBITAK. Ne po ashtu duam të hapim një vend të kompanisë BioNTech në Turqi”, shtoi ai, duke iu referuar Këshillit të Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Turqisë.

Sipas marrëveshjes, deri në fund të këtij viti ose më së voni deri në fillim të vitit 2021, kompania BioNTech do t’i dërgojë Turqisë fillimisht 550 mijë doza të vaksinës COVID-19.

Şahin po ashtu theksoi se njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga vaksinat e tjera COVID-19 që Turqia ka siguruar nga burime të tjera.